KreuCelebrity

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Skerdi çfarë apo kush ka ndikuar në stilin tuaj të veshjes?

Gjithmonë më ka pëlqyer e bukura dhe estetika, edhe në veshje. Kur isha i vogël dhe i varfër gjatë komunizmit, përpiqesha të vishja rroba të bukura e që më rrinin mirë, duke u përpjekur edhe të kombinoja sadopak ngjyrat me aq sa kishim mundësi. Mbaj mend një herë që mami më bleu një palë tuta të mëdha, pasi në dyqan nuk kishte masë tjetër për mua. Ai model tutash më pëlqente tepër, por më rrinin të gjera dhe mamaja nuk e vriste shumë mendjen të m’i ngushtonte, pasi kishte edhe punët e shtëpisë. Mua më ishte fiksuar që do t’i vishja menjëherë, ndaj me një gjilpërë dhe pe i qepa e i ngushtova vete nga brenda, pasi nuk kishim makine qepëse atë kohë. Mund të imagjinohet se sa “të bukura” dhe stilizuara i kam nxjerrë. Këto vitet e fundit, me siguri ka influencuar edhe profesioni dhe puna që bëj. Jam në kontakt të vazhdueshëm me shumë njerëz dhe përpiqem të paraqitem në mënyrë sa më elegante. Edhe kur vesh një bluzë e një palë pantallona, zgjedh dy ngjyra që përshtaten me njëra tjetrën.

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Blerjet e veshjeve i bëni vetë, apo ju ndihmon bashkëshortja? Ku bëni ‘shopping’ më së shumti?

Nuk bëj blerje të shumta, pasi shpesh nuk kam shumë kohë për ‘shopping’. Meqenëse banoj në Romë, ‘shopping’ bëj zakonisht në një qendër tregtare ‘outlet’ afër Romës. Zakonisht marr pak a shumë të njëjtin stil veshjeje, duke u përpjekur të përshtas e kombinoj ngjyrat. Ndonjëherë edhe bashkëshortja blen veshje për mua, duke qenë se tashmë m’i njeh mirë shijet. Sa i përket kostumeve, ka vite që i bëj me porosi te miku im stilist Altin Mici. Ai më tregon stofat e rinj që ka në dispozicion dhe unë zgjedh vetëm copën. Brenda pak ditësh kam gati kostumin e ri, që Altini asnjëherë nuk harron të ma shoqërojë edhe me kravata të ndryshme.

Marka juaj e preferuar?

Të them të drejtën, nuk kam preferenca të veçanta për ndonjë markë, por do të veçoja Zegna e Boss, pasi më qëndrojnë më mirë në trup.

Cila është blerja më e shtrenjtë që keni në gardërobë?

Nuk preferoj veshje të shtrenjta dhe ekskluzive të markave të mëdha. Veshjet më të shtrenjta janë kostumet me jelek, maksimumi 500 euro.

Po më e lira?

Dikur kam blerë veshje shumë të lira, por edhe kohët e fundit kam marrë bluzë nga 20-30 euro.

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Nisur nga pamja juaj, një burrë gjithmonë i kuruar dhe i veshur me shije, do të thotë se nuk jeni stereotipi i burrit veshjet e të cilit zënë një cep modest në dollapin e çiftit tuaj?

Nuk kam ndonjë gardërobë me shumë veshje, e për më tepër të shtrenjta. Kam një dollap normal për mua, e një për bashkëshorten. Stili i jetës dhe i veshjes nuk ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Për fat të mirë kam ruajtur të njëjtën formë të trupit e të peshës, dhe përdor edhe veshje që kam blerë para shumë vitesh. Nuk jam tip që rend pas modës e të rejave, jo se nuk më pëlqejnë, por nuk e konsideroj të nevojshme, e as nuk kam shumë kohë të lirë në dispozicion.

Në trajtimet apo ndërhyrjet tuaja, preferoni të bëni një ndërthurje të përkufizimi tuaj për bukurinë fizike me perceptimet e pacientit, apo ja lini në dorë zgjedhjen pacientit? 

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi kemi një vizion dhe qëllim të përbashkët e tashmë shumë të konsoliduar në Keit. Refuzojmë kategorikisht ekzagjerimet dhe përpiqemi t’i shpjegojmë pacientit, se cili do të ishte rezultati më i mirë i mundshëm për t’u realizuar, pa shpërfytyruar pamjen e tij estetike, qoftë të pjesës së fytyrës e trupit të operuar, por edhe të harmonisë në tërësi.

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Për shkak të profesionit, jeni lidhur në mënyrë të pashmangshme me të bukurën. Sa rrezikon dikush që merret me kirurgjinë plastike të kthehet në sipërfaqësor?

Nuk besoj aspak që ky profesion influencon në thellësinë e mendimit të një profesionisti. Përkundrazi, duke patur kontakte të shumta me njerëz nga më të ndryshëm, ndodhem përballë jo vetëm me kërkesat e tyre për pamjen estetike, por njoh edhe problematika psikologjike, apo këndvështrime të larmishme për të bukurën apo botën në tërësi. Përballem me emocione të forta pozitive të pacientëve të lumtur apo në raste të rralla, edhe me reagime jo të mira kur rezultati nuk është i dëshiruari. Kjo më bën të njoh gjithmonë e më tepër njerëzit, e të reflektoj në thellësi të shpirtit tim.

Skerdi, një doktor që shpesh me vetëdije bëhet pjesë e memeve në rrjetet sociale; kjo ka qenë një strategji marketingu apo jeni i tillë edhe në jetën e përditshme?

Nëse vendos që të jesh i pranishëm në rrjetet sociale, herët a vonë dikush do të bëjë shaka me ty. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, jemi ‘viktima’ potenciale të memeve. Sa herë që shoh meme të bukura rreth meje, zbavitem shumë dhe qesh me të madhe. Ka raste që edhe e teprojnë ndopak por nuk mërzitem, pasi e di që e bëjnë pa të keq dhe është thjesht një mënyrë hokatare e të shprehurit. Edhe vetë shpesh jam autoironik me veten time, sidomos kur të tjerët harrojnë të bëjnë ironi me mua. Nuk është strategji marketingu e organizuar nga Keit, për sa kohë janë të tjerët që bëjnë meme rreth meje, por sidoqoftë është një mënyrë interesante për të shpërndarë imazhin tim, ndaj e konsideroj si diçka pozitive edhe për punën tonë.

Skerdi Faria: Si i stiloja vetë veshjet kur isha i varfër!

Standardet e bukurisë ndryshojnë me kohën; po për ju personalisht çfarë tiparesh fizike duhet të ketë një grua që të cilësohet e bukur?

Nuk kam ndonjë standard të veçantë bukurie për sa i përket pamjes së jashtme, çdo femër ka tipare të bukura për t’u vlerësuar. Por nëse do të duhet të zgjidhja për të dhënë një vlerësim estetik, do të preferoja një femër e cila ka edhe “defekte” të vogla, por në tërësi ka një sharm dhe karizma që e shpreh jo vetëm me pamjen estetike, por edhe me sjelljen, intelektin, ecjen, lëvizjet, veshjen, e mbi të gjitha shpirtin e karakterin e saj.

Si është raporti femër/mashkull që vijnë në klinikën tuaj?

Besoj se mesatarisht janë 70% femra e 30% meshkuj.

Pse kjo përqindje? Mund të themi që janë vajzat dhe gratë, ato që kanë më shumë pasiguri për pamjen e tyre të jashtme?

Mendoj se mbi të gjitha është çështje e lindur e gjinisë femërore, dhe jo pasiguri karakteriale. Femra ka dy kromozome X, ndërsa mashkulli një X e një Y. Me siguri aty tek ai kromozomi X i tepërt, fshihen sekretet e shijes dhe ekzigjencave estetike, që femrat kanë më tepër se meshkujt, pa dashur këtu të përgjithësoj. Ndryshe nuk kam si ta shpjegoj që një vajzë 3 vjeçe vesh rrobat, këpucët, merr makeup-et e mamit dhe fillon e llastohet para pasqyrës, kur një djalë i të njëjtës moshë e ka mendjen të luajë me makina e me top. Ndoshta është një idiotësi e madhe nga ana shkencore kjo që them, por është realitet.

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF