Sado e pabesueshme të jetë, por na duhet t’ju kujtomë se viti 2023 po shkon drejt fundit dhe ka qenë një tjetër vit i madh në fushën e dizajnit dhe interiorit.
Ashtu si çdo vit, tendencat e dizajnit janë rikthyer dhe kanë ikur dhe ndërsa presim vitin 2024, pyetja e të gjithëve është, "çfarë ka në menunë e dizajnit për vitin e ardhshëm?". Vogue Living ka rekrutuar arkitektë dhe stilistë nga e gjithë bota për të dhënë parashikimet e tyre. Nga ngjyrat që mund të shihni më shumë deri te paraqitjet që ndoshta nuk do t'i prisni, më poshtë do të gjeni trende dizajni dhe interiori për vitin 2024.
Harqe në dyer dhe hyrje kryesore
Vitet e fundit janë parë që kthesat e valëzuara të pushtojnë sferën e dizajnit, qoftë në mobilje apo skulptura. Ky trend po kalon në forma të reja brenda shtëpisë, si harqe në korridore dhe hyrje për dush.
Teksturat natyrore
Gjithmonë do të ketë një vend për dekorime të hijshme dhe të thjeshta në shtëpi, por në vitin 2024, tekstura do të marrë përsipër edhe orenditë e brendshme të shtëpisë. Orientimi drejt botës natyrore do të sillet në formën e "druve me reliev, glazurave qeramike me papërsosmëri në punim dhe tekstile të endura me dorë.
Ngjyra të mbivendosura
Përdorimi i një ngjyre të vetme për një dhomë duket se është jashtë mode. Në vitin 2024, do të kemi ngjyra të ndërthurura. Dhoma nuk është neutrale, as nuk është vetëm në një ngjyrë por është një zgjedhje e konsideruar e dy apo tre toneve. Në vitin 2024 do të shohim një përzierje të paletave të ngjyrave të ngrohta që kanë thekse të toneve më të ftohta. Nuk do të qëndrojmë më vetëm me tone të ngrohta ose të ftohta për një hapësirë, por tani po kuptojmë se si mund t'i përziejmë ato në mënyrë dinamike.
Dyshemeja në plan të parë
Për një kohë të gjatë, dyshemetë janë zhvlerësuar përsa i përket veçorive në shtëpi. Megjithatë, në vitin 2024, dyshemetë nuk do të luajnë ‘violinën e dytë’ , por do të jenë ylli i shfaqjes. Dyshemetë prej guri ose mermeri të personalizuara në një mori formash dhe ngjyrash është kryefjala e dizajnit në vitin 2024.
Dizajn i personalizuar
Në vitin 2024, padyshim tendenca më e madhe e dizajnit do të jetë fokusi tek individualiteti. Zbulimi i asaj që i bën klientët të lumtur dhe të frymëzuar do të vazhdojë të nxisë kërkesën për tema të personalizuara të dizajnit. Çdo hapësirë do të jetë një reflektim i shijeve, stilit të jetesës dhe nevojave unike të klientit. Sipas profesionistëve në botën e dizajnit autenticiteti vjen kur një stilist punon me pjesët e mëparshme ekzistuese të klientëve për t'i rikontekstualizuar ato në një mjedis të ri.
Hoteli në shtëpi
Pse të dilni jashtë kur mund të qëndroni brenda? Ndërsa njerëzit vazhdojnë të kalojnë më shumë kohë në shtëpitë e tyre, po shihet një dëshirë për të sjellë disa nga lehtësitë më luksoze që keni ndërmend t'i gjeni në një hotel të mrekullueshëm në hapësirat tona të jetesës. Në vitin 2014 parashikohet një rritje e detajeve të tilla si përdorimi i ndriçimit të integruar, sfondeve të guximshme dhe gurit me veçori, në projektet e banimit.