Ish- trajneri i Spanjës dhe Barcelonës Luis Enrique, po përjeton periudhën më të errët të jetës së tij. Pas një lufte të gjatë me kancerin vogëlushja 9 vjeçare e teknikut të futbollit ka ndërruar jetë.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë ish-trajneri i Kombëtares së Spanjës, i cili ka gjetur forcën për të njoftuar tragjedinë e humbjes së madhe.
“Vajza jonë ka ndërruar jetë këtë pasdite, në moshën 9-vjeçare, pas 5 muajsh luftë intensive kundër osteosarkomës. Duam të falënderojmë të gjithë mesazhet që kemi marrë këto muaj dhe i vlerësojmë. Duam të falënderojmë stafin e spitalit “San Joan de Deu and Sant Pau”, për përkushtimin e tyre. Do të na mungosh shumë, por ne do të kujtojmë çdo ditë të jetës sonë dhe shpresojmë që në të ardhmen të takohemi sërish. Do jesh ylli që drejton familjen tonë. Pusho e qetë Xanita”, shkruhej në njoftim.
Enrique hoqi dorë nga drejtimi i Kombëtares Spanjolle në qershor të këtij viti, për t’i qëndruar pranë vajzës që po luftonte me tumorin.



















