Një paslëkundje e magnitudës 5.6 u regjistrua së fundi, një ndër më të fortat që kanë pasuar tërmetin e fuqishëm të së martës. Toka nuk po gjen qetësi në Shqipëri, e nga sa pohojnë ekspertë të ndryshëm, sidomos të huaj, me shumë gjasë kjo gjendje mund të vazhdojë të paktën për disa kohë.
Situata e krijuar nga luhatja e fundit, bëri që të ndodhte një aksident rrugor në afërsi të Institutit Teknologjik. Për fat të mirë, nuk pati raporte për të lënduar.Ndërkohë, numri zyrtar i viktimave ka mbërritur në 28 . Forcat e kërkim-shpëtimit nxorrën në Thumanë trupin e Kastriot Cakonit, ndërsa mendohet se nën gërmadha mund të jenë edhe katër trupa të tjerë. Përpjekjet po vazhdojnë edhe në Durrës, ku po punohet për nxjerrjen e tre trupave nën rrënojat e një ndërtese 6-të katëshe.



















