KreuCelebrity

Kolona të hequra e kate pa leje: ja si qëndron puna me godinat e shembura!

Nga tërmeti i 26 nëntorit u shembën krejtësisht shtatë ndërtesa në Durrës dhe tre në Thumanë, ku edhe numri i viktimave ishte i lartë. Pati mjaft godina të tjera që pësuan dëmtime, por jo kaq shumë sa këto. Atëherë, cfarë ndodhi? 

1) Hotel Miramare Durrës: Sikurse ka zbuluar gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, hoteli krejtësisht i shembur ishte ndërtuar në vitet 1998-1999 në zonën e plazhit. Në fillim u ndërtua me dy kate, pastaj, me një seri ndërhyrjesh abuzive, nisi të merrte lartësi. Në vitin 2001 policia ndërhyri për të bllokuar një kat shtesë pa leje, por pastaj shteti e harroi problemin dhe në momentin e shembjes hoteli ishte bërë me 6 kate. Por themelet ishin parashikuar për vetëm dy kate dhe nuk mundën të mbajnë peshën kur erdhi lëkundja, që shembi gjithshka. Në këtë godinë humbën jetën dy persona, balerina dhe baristi.

2) Pallati 5 kate + 1 papafingo Lagja 16 (stadiumi) – Durrës: ndërtesa u bë vetëm për familjen e Perikli Konomit në vitet 1994-1996. Në të banonte familja Konomi dhe tri familje që kishin marrë me qira tre apartamente. Por ka dyshime se ndërtesa ishte projektuar pa konsulencën e ekspertëve dhe pa respektuar normat e kërkuara teknike e për këtë arsye nuk e përballoi lëkundjen. U shuan dy familje, 7 persona, thote JavaNews, që ka bërë një përmbledhje të gjithë historikut të godinave në fjalë. 

3) Pallati 6 kate “2 Gjelat”- Lagja 5 Durrës : pallati u ndërtua në vitin 1986 me punë vullnetare nga Ndërmarrja e Ujrave, në kohën e regjimit komunist. Ka mundësi që ndërtesa të ketë patur difekte strukturore, siç ndodhte shpesh në zbatimin e punimeve “vullnetare”, në të cilat detyroheshin të punonin studentë e punëtorë: përdorimi i fuqisë punëtore pa përvojë shpesh prodhonte “pallate” të ndërtuara keq dhe për këtë arsye u mungonte edhe siguria e duhur. Kollonat mbajtëse nuk e kanë përballuar lëkundjen dhe një kat i pallatit u fundos, prej çfarë e pësoi vetëm kush banonte në katin e parë. Sipas gazetarit Arsen Rusta, një nga kolonat e pallatit është hequr nga disa persona për të krijuar hapësirë për një lokal. Në këtë pallat vdiqën 2 gra.

4) Hotel Villa Palma – Durrës: hoteli u ndërtua në 2000-2001, fillimisht me një leje për tre kate. Më pas edhe ky hotel filloi të ngrihej në lartësi dhe, në sajë të një lejeje të re, iu shtuan edhe tre kate. Tani arriti në shtatë kate. Por, si dhe në rastin e Hotelit Miramare, kollonat e themeleve ishin projektuar për të mbajtur vetëm tre kate dhe katër katet shtesë e kishin dobësuar gjithë strukturën, duke shkaktuar më në fund shembjen.

5) Hotel Tropikal – Durrës: Hoteli Tropikal u ndërtua në vitin 1998 pa leje. Në vitet më pas i kishin shtuar kate të tjerë. Edhe në këtë rast, themelet nuk e mbajtën peshën e shtuar dhe nuk e përballuan lëkundjen. Vdiqën 2 persona, vëllezërit kosovarë

6) Pa leje ishin edhe Hotel Apollonia e Hotel Lubjana, të ndërtuar gjithnjë në zonën e plazhit në Durrës në të njejtën kohë me Hotel Tropikalin, të cilët u shembën pjesërisht, por pa shkaktuar viktima.

7) Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme – Durrës: Godina fillestare ishte ndërtuar në vitet 1986-1991 nga Ndërmarrja e Ndërtimit të Durrësit, në vitet e fundit të regjimit komunist. Struktura mbeti e papërfunduar deri në fund të vitit 2006, kur Ministria e Brendshme vendosi të investonte për përfundimin e saj. Godina e re, pjesërisht e shembur më 26 nëntor, ishte përfunduar në vitin 2008. Vdiq 1 person, komisari, pedagog në Akademinë e Sigurisë

8) Godina 4 katëshe – ish-Këneta Durrës: kati i parë i godinës u ndërtua pa leje në vitet 1997-1999. Në vitet më pas u shtuan edhe kate të tjerë për të strehuar anëtarët e tjerë të po asaj familjeje dhe arriti në katër kate. Por themelet edhe në këtë rast ishin projektuar vetëm për një kat dhe ndërtesa u shemb. U shua një familje me 8 veta

9) Tre pallatet në Thumanë (Fushë Krujë): U ndërtuan në kohën e regjimit komunist me punë vullnetare, që nga viti 2010 ishin vlerësuar nga autoritetet në rrezik rënieje. Sipas burimeve ende të verifikuara, të tre pallatet ishin deklaruar edhe të pabanueshme, një pjesë e strukturës ishte vjedhur dhe dobësuar, por megjithë këtë ndërtesat vazhdonin të ishin të banuara. Deri natën e tërmetit dhe të shembjes, vazhdon JavaNews, duke kujtuar se në Thumanë humbën jetën më shumë se 20 persona.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF