Ajo e familjes Lala është një nga tragjeditë më të mëdha të këtij tërmeti: anëtarët e saj u shuajtën thuajse të gjithë. Banesa e kësaj familjeje me origjinë nga Kukësi, por që jetonte në zonën e ish kënetës në Durrës, u shemb duke i zënë brenda, pa i lënë rrugë shpëtimi. Së fundi kanë dalë edhe fotot e anëtarëve të saj, që humbën jetën nga tërmeti shkatërrimtar i së martës; katër prej tyre janë fëmijë.
Gjetja e Marjeta Lalës nën gërmadha ishte një moment dramatik: gruaja ishte e përqafuar me tre fëmijet e saj, Emilio Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Dionis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç. 9 vjecarja Amelia Lala u gjet nga ana tjetër pa jetë bashkë me gjyshen e saj, Sahdete Lala. Fotot e këtyre fëmijëve, zor se do të na shkulen lehtë nga kujtesa!



















