Media të ndryshme, por edhe raportet nga terreni tregojnë një “zbrazje“ të frikshme të qytetit bregdetar të Durrësit, një prej zonave të goditura më fort nga tërmeti katastrofik i magnitudës 6.4 që tronditi Shqipërinë të martën. Të tmerruar nga pasojat e lëkundjeve të dhunshme të tokës në këtë qytet, ku u shënuan me dhjetëra viktima, si edhe nga paslëkundjet e vazhdueshme të tokës ( disa edhe të magnitudave të larta, ndonëse jo aq sa tërmeti kryesor), banorët kanë zgjedhur të largohen duke iu drejtuar shumica jugut të vendit.
Disa kanë lëvizur drejt Elbasanit e Vlorës, ndersa mjaft të tjerë drejt Korcës, Pogradecit e Voskopojës. Ndërkohë, ka dhe qytetarë dyrrsakë që kanë marrë rrugën e Kosovës, ku priten krahëhapur.



















