Ishte fëmijë në 1999-tën kur për shkak të luftës në Kosovë, u strehua si refugjat në Kukës. Hasan Mulaj, pas dy dekadash, u rikthye në Shqipëri, këtë radhë për të dhënë ndihmesën e tij në zonën më të goditur prej tërmetit apokaliptik rë së martës, në Thumanë.
“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim. Dora për ndihmë. 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet më pas ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, u shpreh Mulaj nga Skenderaj.
Fotot e tregojnë atë fëmijë, gjatë periudhës së vështirë për kosovarët, të cilëve familjet shqiptare i hapën dyert e tyre. Tani janë ata që bëjnë të njëjtën gjë, duke treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm e duke ofruar ndihmën e tyre të pakursyer, si në nivel qeveritar, ashtu mes njerëzve të thjeshtë.



















