KreuCelebrity

Ekskluzive për Bordo/ Rrëfimet e rralla të Orit & Islit!

Një intervistë ndryshe me prezantuesit e Wake Up përtej asaj që nuk shohim në ekran, raportet e tyre personale dhe profesionale, pasionet dhe ndonjë sekret i vogël që ata e zbulojnë për njëri – tjetrin!

Tre sezone në ekran do të ishin një mbidozë për këdo çift televiziv, por për Oriela Nebiaj dhe Isli Islamin është krejt e kundërta, pasi mes tyre ka një kimi krejt natyrale, e cila është vënë re siç ata edhe e shpjegojnë, që në daljen e parë në ekran. Ata janë një çift televiziv, por vetëm kaq ama, nga ata që të gjithë i duam, sepse kanë një natyrë diellore, të buzëqeshur, jo sepse e kërkon ekrani, por sepse të tillë janë edhe në jetën e tyre reale. Zbuloni çfarë nuk dini për Orin duke e thënë nga Isli dhe çfarë sekretesh fsheh Isli, por të thëna sipas Orit.

Cili nga ju zgjohet i pari në mëngjes?

Zgjimin e kemi të ndarë, secili në krevatin e tij në shtëpitë respektive…(qeshin) Çështja është kush vjen i pari në punë…

Për ata që nuk e dinë dhe ju shohin në orën 07 në ekran, kur zgjoheni realisht?

Realisht fare, fare, fare, zgjohemi herë në 5 e 30, herë në 06:00, por që të jemi të qartë ky 30 minutëshi më shumë nuk është se ndryshon ndonjë gjë. Njësoj me “dhimbje” ndahemi nga krevati. 

Prej dy vitesh në Wake Up zgjoheni me zile apo është kthyer në rutinë?

Oriela – Çdo ditë jam zgjuar dhe vazhdoj të zgjohem me zile përgjatë 3 sezoneve në Wake Up. Ndonjëherë madje nuk më mjafton zilja dhe hyn në lojë dhe mamaja.

Isli – Unë edhe pas 11 vitesh ja besoj ziles së alarmit zgjimin si atëherë kur zgjohesha për lajmet e para dhe leximin e shtypit në Top Channel edhe kur ju bashkova Wake Up 5 vite më parë. Kështu që rutinë më është bërë edhe zilja e telefonit. Madje edhe në fundjavë që të dyve në orën 7 na del gjumi.

Cili nga ju vonohet më shpesh në punë dhe pse?

Isli – Me rekorde të regjistruara tashmë, guxoj të them se këtë podium e mban Ori (qesh). Të paktën 1 herë në këtë sezon e kam në xhep, por na favorizon fakti që jemi dy.

Oriela – Por si para mësueses po ju them se vonesa ka qenë me arsye. (Qesh)

Cili nga ju thotë i pari “Mirëmëngjes” në ekran?

Oriela – Kryesisht Isli, por jo se e kemi të ndarë. Nis Isli e menjëherë më pas dhe unë.

Isli – Na ndodh ta themi dhe njëherësh si në një duet: Ori zë i parë e unë zë i dytë.

Kush i bën kafen, i pari kujt, apo nuk keni nevojë fare?

Të dyve kafen na e pregatit Irena, zonja e Bar-it në Top, që e duam shumë. E gjejmë gati sapo hyjmë në piramidë ku janë dhe studiot e Wake Up. Rroftë Irena.

Oriela – Tani që e mendoj një kafe nga dora e Islit do e pija me qejf.

Isli – Tani që po e mendoj edhe unë do doja ta provoja një herë kafen e Orit.

Gjatë momentit kur Isli lexon shtypin e ditës, Oriela çfarë bën?

Isli – Përgjithësisht komentojmë bashkë titujt që mendojmë se nuk mund të kalojnë pa komente. Nëse nuk kemi komente, Ori është gjithmonë aty por publiku humbet momentet kur Ori bën mimikat e saj pas ndonjë titulli pikant duke shijuar kafen e saj. Më vjen keq për ju por këto momente i shijoj vetëm unë që e kam përballë.

Ku qëndron kimia që bashkon Orin dhe Islin?

Se ku konkretisht s’e dimë. Qysh prej fillimit jemi bërë shokë. Ishte miqësi me shikim të parë. Ne të dy jemi të ngjashëm në shumë gjëra, jemi miq të mirë si para kamerave dhe pas kamerave. E mbështesim njëri-tjetrin në çdo rast. Debatet i kemi të rralla ama dhe ato i bëjmë po me aq pasion. Kemi kimi dhe kur debatojmë.

Isli çfarë e bën më shumë për të qeshur Orin?

Mendoj se sensi im i humorit, por Ori është natyrë e qeshur ashtu si dhe unë. Dhe kjo reflektohet edhe në emision. Këtë e ndjen dhe publiku besoj.

Ori çfarë e mërzit më shumë Islin?

Nga unë asgjë. Unë jam ëngjëll. Përgjithësisht mendoj se Islin e mërzit gjithçka që është e padrejtë, hipokrizitë dhe mediokriteti.

Kush nga ju rri më shumë para telefonit në Wake Up?

Asnjëri nga të dy. Rrimë pothuajse njësoj pasi kemi grupin e punës me të cilët komunikojmë në kohë reale për të qenë në koherencë me çdo tematikë që trajtojmë.

Cili ndjek skaletën dhe cili improvizon më shumë?

Të dy, ndjekim skaletën padiskutim pasi është një punë shumë e mirë dhe e lodhshme që bëhet çdo ditë nga gjithë ekipi i Wake Up. Njësoj dhe improvizojmë pasi asnjëherë ti nuk mund ta dish se si do të rrjedhë biseda në studio.

Nga 120 minuta në ekran, tani jeni 180, si ishte për ju ky ndryshim?

As i mirë e as i keq. Produksioni vendosi pasi e diskutuam gjatë se si do të përshtasnim me të njëjtën cilësi dhe një pjesë të tretë në Wake Up. Publiku e mirëpriti dhe është i kënaqur, komentet kanë qenë shumë të mira prandaj dhe ne jemi të kënaqur.

Wake Up është një program që është identifikuar gjithnjë çift, si jeni ndier kur dikush nga ju ka munguar?

Oriela – Ndihet shumë mungesa, kur ndodh. Të gjithë pyesin ku është tjetri. Ama është e paevitueshme në emisione LIVE që janë 11 muaj të vitit në transmetim çdo ditë. Është pak më e lodhshme kur njëri mungon, pasi ne e shijojmë bashkëpunimin që kemi në studio.

Isli – Gjatë shkëputjes së Orit për pushime On Top herë pas here në studio kishim një CO Host, me personazhe të cilët në profesionet e tyre janë krejt të kundërt me moderimin. Një eksperiencë e bukur dhe për ta.

300 ditë të vitit bashkë në ekran, a takoheni edhe pas mëngjesit?

Sigurisht që po. Shpeshherë pimë kafen e dyte pas emisionit, ndonjëherë organizohemi dhe për aktivitete apo evente. Si të gjithë miqtë e mirë që gjejnë kohë për të kaluar bashkë edhe jashtë punës.

Cili është thashethemi më i çuditshëm që keni dëgjuar për njëri-tjetrin?

Për lidhjen tonë sentimentale…!

Isli të kemi parë dy herë të përlotur në ekran, u betove herën e parë që nuk do ta bëje si ndodhi për herën e dytë?

Ishte një ndër momentet më të bukura në Wake Up. Në ditën e ditelindjes sime grupi kishte bërë gati një surprizë të bukur që më preku dhe emocionoi. S’e mbajta dot premtimin…

Cili ka qenë i ftuari që ju ka impresionuar më shumë kur e keni intervistuar dhe pse?

Ka pasur shumë, nga fusha të ndryshme. Le të mos mundohemi të përmendim emra pasi e sigurt që do të lëmë shumë pa përmendur.

Ori dhe politika, sa herë ke ndonjë të ftuar nga kjo botë, si ndihesh? A do të doje sërish të ishe pjesë e saj?

Ndihem shumë mirë që jam në pozicionin e atij që ngre pyetjet. Ndihem shumë mirë në ekran dhe madje në një sfidë që besoj e përmbusha, të paktën me veten. Si dihet në të ardhmen.

Tani nuk është më një sekret, pasioni i Islit për muzikën, më kanë thënë që ajo popullore të pëlqen më shumë?

Ha, ha, ha! Jo në fakt me muziken popullore argëtohem më shumë. Kam qenë në Liceun Artistik për Violinçel, prandaj dhe kam vesh të mirë dhe vokal të mirë. Kam një këngë popullore me të cilën përshëndes miqtë herë pas here, me siguri për atë do kesh dëgjuar.

Ori të ka dedikuar ndonjë kënge ty Isli?

Eee, jo. S’më kujtohet ndonjë dedikim. Po e shijojmë muzikën e mirë të dy.

Përveç Wake Up, Oriela ka qenë pjesë e “Sekret e Portokalli” dhe “Pushime on Top”, si kanë qenë këto eksperienca, a do të hiqje dore nga programi i mëngjesit për njërën prej tyre?

Eksperienca shumë të mira dhe i kam shijuar shumë. Janë dy formate sezonale të cilët s’të detyrojnë të heqësh dorë nga asgjë. Prandaj dhe gjatë një periudhe ishin të treja në transmetim.

Ori për çfarë shpenzon më shumë Isli, po për ty Isli për çfarë shpenzon Ori më shumë?

Oriela – Isli shpenzon më shumë për jetesë të shëndetshme dhe Amerikën.

Isli – Ori shpenzon më shumë për veshje dhe udhëtime!

Na tregoni cila është pika më e dobët e secilit, po pika më e fortë?

Jemi të dy të mirë, bashkëpunues dhe mirëkuptues, por edhe tekanjozë të dy ndonjëherë. Dhe kripë dhe sheqer.

Cili do të ishte programi që do të donit të prezantonit bashkë në të ardhmen?

Cilido të ishte, një show argëtues pse jo, do të ishte super program. Në darkë patjetër, kusht ky. Ja ta mendojmë pak më mirë tani që na ngacmove me pyetjen…

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF