“Blerjet kanë ndaluar, shumë shtete do të izolohen, çka do të sjellë që të mos prodhojnë, pasi nuk kanë treg shitje. Nuk del asnjë njeri në rrugë të marrë porosi, nuk del njeri në rrugë të shesë. Është një krizë globale dhe përpara aktivitetit ekonomik, unë dhe punonjësit e mi preferoj të jetoj. Fillimisht nuk dimë se si do të na shkojë jeta, dhe pak na intereson vazhdimi i punës”, është shprehur Donika Mici, përfaqësuesja e kompanisë të prodhimit të këpucëve, “Donianna” lidhur me situatën ku do të shkojë ekonomia e vendit, për revistën Monitor.
Ajo vijon më tej duke treguar se ajo që po ndodh tashmë është më tepër se një krizë. “Aktualisht, kur situata paraqitet e përkeqësuar në vend, dhe në kushtet e shpalljes të pandemisë botërore, fabrikat e prodhimit të këpucëve mund të mbyllen.
Kjo është lufta e tretë botërore, që shkatërron ekonominë dhe shëndetin e njerëzve. Parashikoj që gjithçka do të nisë nga zero, si pas Luftës të Dytë Botërore. Ajo çka më shqetëson më shumë në këto momente, është që të dalim nga kjo luftë pa numër të lartë viktimash. Pritet që kjo situatë të zgjasë deri në qershor në Itali, çka do të ndikojë edhe në vendin tonë. Pra, ky 6-mujor do të jetë katastrofik”, shprehet zonja Mici.



















