
E prekur nga Covid 19, aktorja e njohur Justina Aliaj tregoi se e ka pasur të vështirë përballimin e sëmundjes. Në një video të postuar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Aliaj tregin kalvarin e saj dhe bën thirrje për kujdes. “Justina Aliaj jam, sëmundjen që më zuri e kam përballuar jashtëzakonisht vështirë, jashtëzakonisht keq, sepse nuk e dija se çfarë ishte diagnoza e shumta për mua ishte grip. Kur humba ndjenjat më dërguan në Infektiv. Këtu u shtrova dhe filloi mjekimi, trajtimi intesiv, ndoshta edhe 10 flakona në ditë sepse kisha një COVID tashmë shumë të avancuar. Kjo zgjati ditë dhe ditë me radhë në shtrat sepse nuk isha në gjendje. Ishte një përjetim i tmerrshëm, me këputje të jashtëzakonshme, me një lodhje mendore po të jashtëzakonshme dhe ato muskujt që nuk do t`i harroj kurrë sikur ishin shkëput nga kocka, asgjë nuk funksiononte, gjithcka përjetoja ishte dhimbja, duhet më thënë pa shpresë, e vetmja shpresë ishte që më mbajtën gjallë doktorët. Kjo ishte ajo që unë e kam në shpirt dhe do ta marr me vete kudo që të shkoj e derisa të jetoj. Këta mjekë ishin kaq konseguentë, në radhë të parë nuk harroj shpirtin e tyre përveç asaj çka bënë medikamentet. Nuk harroj kurrë se si ata vinin më thoshin që ne nuk të lëshojmë dhe ti nuk del prej këtu pa u shëruar, do të dalësh prej këtu e shëndoshë, sepse ti nuk e di se s`i ke lexuar portalet, si t`i themi ne atyre nuk mundëm të shpëtonim Justinën. Ti duhet të shpëtosh se s’bën. Kurrë nuk e harroj që frymën nga jashtë ma kanë sjellë brenda, kur nuk dija a jam, a s’jam? Unë kam vetëm një apel për të gjithë popullin shqiptar, ata e dinë, e shohin, e kanë parë, shpresoj që nuk do e kalojnë këtë mynxyrë, që na ka pllakosur në derë, ju lutem 1 mijë herë mos i hiqni maskat, maskë sot është jeta juaj, mos provoni atë që provuam ne, ju mjafton eksperienca jonë ”, është shprehur ajo.



















