30 vite në ekran, dhe një figurë mjaft e dashur për publikun, gazetarja Ketrin Gjocaj vendosi duket se kishte ardhur kohë të fliste për një kapitull të vështirë në jetën e saj. E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, Ketrin rrëfeu divorcin e përpara shumë viteve dhe marrëdhënien me vajzën e saj e cila ka jetuar që e vogël në Gjermani me të atin.
”Dua të më japësh një përgjigje të sinqertë, je divorcuar herët nga babai i vajzës tënde, si ka qenë, sepse Shqipëria edhe sot është pak e vështirë. Ti si e ke kaluar divorcin?” e pyeti Mirel Milori. “Ne kemi qenë 6-7 vjet martuar, kemi qenë të lidhur më herët, të fejuar qëndruam 7 vjet. Ajo që luajti rol në këtë mënyrë jetese të ndarë, ishte dhe largësia, sepse që në ’91-shin bashkë me vajzën, me vjehrrën time, gjithë familja shkoi në Gjermani, në ato kushte që kishte Shqipëria atëherë, sepse edhe ata nga ana e mamasë kishin probleme të persekutimit, të një jete me probleme në Shqipëri. Që aty filloi një gjë që nuk shkonte, sepse unë e dashuruar me ekranin, me një familje normale. Ne vazhdojmë të kemi marrëdhënie shumë të mirë, edhe kjo gjë duhet thënë, nuk ndodh në të gjitha çiftet”, tha ajo. Ketrin shtoi se nuk e ka pasur të lehtë largësinë me vajzën. “Unë detyrohesha që 2-3 herë në vit të shkoja në Gjermani që atëherë ishte shumë problem dhe për viza. Ato fillime i kam patur problem, por raporti nuk ndryshoi, ka qenë shumë i mire”, u shpreh ajo, ndërsa pranoi se ka kaluar shumë momente të vështira dhe ka qarë e është ndjerë pesimiste, por thotë se uronte gjithmonë që e bija të kishte shëndetin.



















