Kush do ta mendonte disa vite më parë që ato unaza prej plastike që ne (asokohe vajza të vogla), në pamundësi për të patur uanaza mirëfilli si ato që kishin mamat apo vajzat e mëdha, i mbanim në duar si aksesorë, disa vite më vone do të ktheheshin në trend.
Duke nisur nga shtëpia luksoze e modës Chanel, e deri tek markat më të lira duket se e kanë thënë fjalën e fundit për të rikthyer në vitin 2021 trendin e unazave prej plastike apo kauçuku. Kaq mjaftoi dhe fjala mori dhenë; blogerë, emra të njohur VIP të A listës botërore, e po ashtu edhe emra të njohur në radhët e VIP-ave shqiptarë kanë përqafuar menjëherë trendin e ri të sezonit.
Duket se në vendin tonë blogerja dhe trashëgimtarja e Top Media Lori Hoxha është më e afeksionuara me këtë trend unazash pasi në postimet e saj të fundit në instagram aksesorët prej plastike (sigurisht Chanel) nuk mungojnë.
Nëse për brandin luksos një unazë e tillë kap vlerën e 240 dollarëve, në Asos versione të tilla i gjeni me vlerën e 7 dollarëve. Gjithsesi mos harroni t’i hidhni një sy sëndukut të gjimnazit apo fëmijërisë, ndoshta mund ta gjeni një unazë të tillë edhe aty.