Pas helmimit të qindra personave në Komunën e Deçanit në Kosovë – që dyshohet se ndodhi për shkak të ujit – ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” porositi qytetarët e komunave të tjera që furnizohen nga ky ujësjellës, që të mos kenë dyshime në cilësinë e ujit, thotë REL. “Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.
“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.Qytetarëve të Deçanit u është bërë apel më herët që të mos e përdorin ujin e ujësjellësit për pije, derisa rezultatet e testimeve mikrobiologjike të përcaktojnë nëse uji është i sigurt.Helmimi masiv në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendjene e jashtëzakonshme. Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, thotë se e gjithë kjo mund të jetë e qëllimshme. “Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, u shpreh ai.



















