Porto Palermo këtë verë do të bëhet edhe më e bukur, pasi violinisti i mirënjohur Olen Cezari e ka zgjedhur si pikën e tij të preferuar turistike për të vënë në jetë një nga projektet e tij më të dashura muzikore.
Për 5 javë me radhë çdo fundjavë në Kalanë e Porto Palermos çdo pushues, përveç bukurisë mahnitëse dhe aromës së detit, do të shijojnë tingujt e muzikës së pakrahasueshme të Olen Cezarit dhe të të ftuarve të tij specialë.
Artistë të ndryshëm shqiptar dhe të huajt, të cilët spikaten për vokalin e tyre brilant, do të ngjiten në Kalanë e Porto Palermos dhe do të dhurojnë muzikë të mirë dhe festivale të cilat do të mbahen mend gjatë.
Festivali i parë fillon më 1 korrik me Korin e Himarës dhe do të vazhdojë më tej me Marsela Çibukaj, Opera Pop, Daniele di Buonaventura, me të madhen Inva Mula, Eden Loren dhe Laura Bredan, Gëzim Myshketa, Elina Duni, Kastriot Tusha dhe do të mbyllet mbrëmjen e 14 gushtit me zërin unik të Vikena Kamenicës.
Olen Cesari çdo mbrëmje do të jetë aty, për të shoqëruar artistët teksa performojnë në skenë, por më 24 korrik skena do të jetë e gjitha e tij dhe të gjithë do të kemi mundësinë të shijojmë artin e virtuozit të violinës shqiptare.



















