Bukuroshja nga Gjilani Tuti Sejdiu u shpall Miss Universe Kosova 2021 që eventin e mbajtur pak ditë më parë. Ndërsa rrëmbeu kurorën e më të bukurës së vendit të saj, 19 vjeçarja ka dhënë intervistën e saj të parë si personazh publik, ku ka bërë një rrëfim tronditës që ka ndodhur në jetën e saj disa vite më parë.
“Arsyeja që kam ardhur në Miss Universe është familja ime, kishin gjithmonë qejf të shpallesha Miss. Kam aplikuar, kam ardhur dhe nuk e besoja që do e fitoja. Kjo kurorë i dedikohet vetëm familjes time pasi gjatë jetës së tyre kanë sakrifikuar shumë për mua, e vazhdojnë që të sakrifikojnë. Jam e mërzitur sepse shoh gjithë familjen aty dhe vetëm një karrige është e zbrazët sepse mungon babai im. Është sot në burg për mua sepse ka luftuar për padrejtësinë që më kanë bërë,”– u shpreh Tuti Sejdiu
Ndërsa ka vijuar duke treguar një histori të trishtë që i ka ndodhur kur ishte vetëm 13 vjeç, moshë kur disa persona kanë abuzuar seksualisht me të.
“Në moshën 13-vjeçare jam trafikuar nga Kosova në Serbi dhe përdhunuar nga persona të ndryshëm, derisa prindi im nuk ka lënë institucion pa kërkuar drejtësi, për ata njerëz që janë munduar të ma marrin jetën dhe sot janë të lirë nuk janë në burg. Vetëm se ka kërkuar ndihmë për mua, babai nuk është pranë meje por në burg. Vetëm që kërkoi ndihmë për drejtësi, sepse drejtësi s’ka pas asnjëherë. Më e rënda është që unë nuk e di a është mirë, as nuk e lejojnë të na telefonojë, as ti japim rroba, as ta shohim. Nuk e di a është mirë, e them publikisht se do të luftoj për babin, jo për veten dhe do e vendos drejtësinë në vend. Të gjithë më kanë bullizuar, më kanë ofenduar dhe kjo kurorë është vlerë e madhe për mua se kam dëshmuar që jam femër e fuqishme, pranë familjes, pavarësisht sfidave që më kanë ndodhur. Njeriun e sfidon njeriu për një arsye dhe sfidon njerëzit e fortë. Për mua asgjë s’është e vështirë, vetëm do kem edhe pak durim që të vendoset drejtësia në vend” tregoi e reja në rrëfimin e saj.



















