
Nëna e vajzës 6-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital, ka dhënë së fundmi një intervistë rrëngjethse.
Teksa vajza e mitur dyshohet se është dhunuar në mënyrë barbare nga babai i saj, nëna me lot në sy dhe zërin që i dridhej ka treguar për emisionin “Me zemër të hapur” se gjendja shëndetësore e vogëlushes së saj është kritike.
“Gjendja është shumë keq pasi mjekët s’më kanë dhënë shpresë për të, shumë pak kam arritur dhe unë me fol me vajzën pasi gjendja e saj psikologjike është shumë e rëndë, bëhet shumë agresive”, tha ajo për të bijën.
Ndërkohë më tej ka treguar se sipas mjekëve vajza e mitur ka shumë probleme nga organet e brendshme, “Më kanë thënë që ka plasaritje të mushkërisë, pankreasin, dhe një fije të zorrës të çarë, në të cilën është bërë ndërhyrje”.
E pyetur në lidhje me babain e 6-vjeçares, ajo tha se pret përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të vërtetuar atë që ka ndodhur dhe sapo kjo të vërtetohet, ajo kërkon një dënim të ashpër për të. “Jo vetëm të dënohet, por të digjet mes njerëzve që ta kuptojnë të gjithë burrat që kanë fëmijë, të gjithë baballarët, se çfarë ka bërë ai e mos veprohet më me fëmijët e tjerë”, tha nëna e të miturës.



















