
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka lënë në burg Raimond Kunorajn, babain i cili tre ditë më parë dhunoi vajzën e tij të mitur.
Paraditen e kësaj të marte është dhënë për 27-vjeçarin masa e sigurisë “Arrest me burg”. Raimond Kunoraj akuzohet se ka dhunuar barbarisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, prej një muaji, vajzën e tij të mitur duke i shkaktuar dëmtime të shumta në trup.
6-vjeçarja ndodhet në spitalin e Traumës pasi ka hematoma në trup. Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Tiranës ka ngritur një tjetër akuzë ndaj Raimond Kunorajt, atë të “marrëdhënies seksuale me të mitur”. Seanca sot në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës u mbajt me dyer të mbyllura, me të arrestuarin që ka mohuar kategorikisht akuzën se ka abuzuar seksualisht me vajzën.
27-vjeçari e ka rrahur me thupër vajzën dhe e ka kafshuar në zona të ndryshme të trupit, si dhe në pjesën intime. E mitura fillimisht është dërguar në spitalin e Kamzës ku pas dhënies së ndihmës së parë, është përcjellë për në spitalin “Nënë Tereza”. Mjekët e këtij spitali kanë vlerësuar se e mitura kishte nevojë për ndihmë më të specializuar dhe është dërguar me autoambulancë në orën 03:00 të mëngjesit të së shtunës për tek urgjenca e “Traumës”.
Prindërit e vajzës së mitur ishin ndarë prej 6 vitesh, pak kohë pasi vogëlushja kishte ardhur në jetë, ndërsa prej një muaji ishin kthyer bashkë dhe kishin nisur bashkëjetesën. Sipas informacioneve, kjo nuk ishte hera e parë që Raimond Kunoraj ushtronte dhunë ndajë vajzës së tij, pasi e mitura i kërkonte nënës që mos ta linte vetëm me babanë nga frika që kishte nga ai.



















