10 vite më parë Leka Zogu I u nda nga jeta, dhe sot në nder të tij i biri i ka dedikuar një letër prekëse.
Princi Leka Zogu II ka kujtuar ditët e bukura që ka kaluar pa të atin, ndër to momentin e parë kur ka marrë në krah të bijën, e cila sikurse ai shkruan i solli babin dhe nënën e tij brenda zemrës.
Princi Leka Zogu ka kujtuar edhe ditën e tij të fundit kur Leka Zogu I ka patur sytë hapur, që përkon me 28 Nëntorin, “Hera e fundit kur ti pamë sytë e hapur e të përlotur ishte 28 Nëntori, ku kërkove flamurin në dritaren e dhomës së spitalit. Ai flamur që e deshe aq shumë!”.
Letra e plotë:
“10 vite pa ty i dashur Babi!
Në këto vite jeta më ka sjellë momente shumë të gëzuara, të cilat do të kishin dhënë lumturi të madhe, si edhe momente të vështira, ku forca dhe kurajo jote më kanë munguar. Kur u bëra baba dhe mora në krahë për herë të parë Geraldinën e vogël, ju pashë ty dhe mamin brenda zemrës sime! Sa do doja t’ju kisha pranë ato çaste! Ajo do ishte gëzimi juaj më i madh, është aq e dashur!
10 vite më parë të përcollëm në atë botë tjetër ku të gjithë takohemi një ditë, e unë lutem që së bashku me mamin të jeni në paqen e amshuar!
Babi, kur ti mbylle sytë e na fike shpirtin, ishin shqiptarët e t’u ata që na dhanë ngushëllim, na mbushën me dashuri në ato ditë aq të dhimbshme. Erdhën nga të gjitha trojet për të të përcjellë e nderuar ty, njeriun që besonin, Mbretin e tyre. Ti arrite të bashkosh shumë zemra, solle shpresë në kohë shumë të vështira, fitove respektin dhe besimin e shumë njerëzve.
Kur mbështetësit dhe dashamirësit e Familjes Mbretërore të kujtojnë ty, flasin për një burrë me karakter të fortë, me urtësi dhe vlerat më të vyera shqiptare. Do doja shumë të të ngjaj, të ngjall atë besim dhe shpresë, pasi më ke trashëguar shumë dashuri për këtë vend, i shtrenjti babai im! Hera e fundit kur ti pamë sytë e hapur e të përlotur ishte 28 Nëntori, ku kërkove flamurin në dritaren e dhomës së spitalit. Ai flamur që e deshe aq shumë!
Na mungon shumë, madje Elia emocionohet çdo herë që të kujtojmë, e të kujtojmë gjithmonë…”, ka përfundar ai.



















