Qindra vetë u mblodhën në varrezat e fshatit Morane, në Maqedoninë e Veriut për t`I dhënë lamtumirën e fundit 10 banorë vendas, përfshirë tetë nxënës të shkollës, të cilët ishin në mesin e 45 viktimave të aksidentit të tmerrshëm në Bullgari. Autobusi me të cilin udhëtonin, që po i kthente pas një udhëtimi fundjave në Stamboll, u përfshi nga flakët në një autostradë në orët e para të 23 nëntorit. Të gjitha viktimat janë identifikuar si shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Gabimi njerëzor ishte ndoshta shkaku kryesor i aksidentit, thanë hetuesit bullgarë. Arkivolët e mbuluar me një copë të gjelbër me 10 viktima u ulën në tokë në varrezat e fshatit Morane – të katër fëmijët e Enver Jahit, gruaja e tij, kunata e tij dhe dy fëmijët e saj, dhe dy fëmijët e njërës prej motrave të Jahit. Arlinda Vlashi, mësuesja e Omer Jahit, 11 vjeç, i cili u varros pranë tre vëllezërve dhe motrave të tij dhe nënës së tyre, erdhi për të nderuar.
“Si mund të shkoj në klasë tani kur nuk e shoh atë?”, tha ajo mes lotësh. “Unë isha mësuesja e re e Omerit kur ai filloi klasën e gjashtë në shtato). Ai ishte një djalë shumë i mirë, shumë i mençur, shumë i sjellshëm dhe mësonte shpejt.” Enver Jahi, i cili nuk shkoi në udhëtim për në Stamboll, sepse duhej të drejtonte restorantin e familjes, qëndronte mes shiut duke qarë teksa uleshin arkëmortet pasuar nga lutjet e imamit. “Ky ishte një lajm shumë i keq për ne. Jo vetëm për mua por për të gjithë fshatin”, tha Nuredin Bajrami, një fqinj i familjes Jahi. “Ne i njihnim shumë mirë, kishin edhe një restorant dhe njerëzit i vizitonin shumë shpesh. Ata ishin njerëz shumë të mirë.”
Trupat e viktimave të tjera të aksidentit mbërritën me dy avionë ushtarakë bullgarë të premten pasdite në aeroportin e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit. Ata u vunë të preheshin në varreza të ndryshme.



















