Më në fund Adele do të realizojë koncertin e shumëpritur në Las Vegas. Por të gjithë ata që duan të marrin pjesë në koncertin e saj duhet të plotësojnë dy kushte: të tregojnë dëshminë se janë vaksinuar dhe të kenë me vete një test negativ për Covid-19, jo më shumë se 48 orë para koncertit.
Për të hyrë në koncert duhet që vërtetimi i vaksinimit, si dhe rezultati i testit, të lëshohen nga institucionet shëndetësore, duke mos u pranuar në këtë mënyrë testi që çdo person mund të kryejë në shtëpi.
Gjithashtu është bërë me dije se edhe fëmijët duhet të sjellin prova të një testi negativ për Covid-19 të bërë në 48 orët e fundit dhe duhet të mbajnë maskë gjatë koncertit.
Kujtojmë që Adele zbuloi javën e kaluar se do të ketë më shumë shfaqje midis 21 janarit dhe 16 marsit në Colosseum në Caesars Palace. Ndërkohë siç është bërë me dije nga organizatorët e koncertit biletat pritet të jenë në shitje sot.



















