Për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19, shkollat mbetën të mbyllura për miliona fëmijë në mbarë botën.
Së fundmi, Banka Botërore në raportin më të ri për pandeminë ka theksuar se humbja e mësimeve për shumë fëmijë është “moralisht e papranueshme”.
Përqindja e fëmijëve që nuk janë në gjendje të lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë deri në moshën dhjetëvjeçare mund të rritet në pothuajse 70 për qind, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Përqindje kjo që para pandemisë ishte rreth 50 për qind, për shkak të mundësive të dobëta për shkollim në shumë vende.
Ekspertët financiarë supozojnë se fëmijët e prekur nga mbyllja e shkollave do të humbasin gjithsej rreth 17 trilionë dollarë gjatë jetës së tyre.
Kujtojmë që vitin e kaluar Banka Botërore i kishte vendosur këto humbje financiare të pritura në 10 trilionë dollarë, që do të thotë se rritja e humbjeve të pritura gati është dyfishuar.



















