Gazetari i njohur sportiv Vladimir Grillo, një ikonë e televizionit shqiptar dhe në vite një nga figurat më të dashura për shikuesit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen e rëndë qe e mundonte prej disa kohësh. Me një eksperiencë më shumë se 40 vjecare, Grillo realizoi mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet.
Në 1969-tën, u diplomua në Institutin e Histori-Filologjisë dhe janarin e një viti më vonë nisi punë në RTSH, ku qëndroi gjatë gjithë jetës.
Vlerësimet nuk munguan për të nuk munguan asnjëherë, nga kolegët e nga publiku i gjerë. 2 korrikun e vitit 2020, ato u përmblodhën me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” , të cilin ia dorezoi presidenti Ilir Meta: “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”.
Vladimir Grillo u shua në moshën 74 vjecare, por do të mbetet simbol i profesionalizmit, modestisë dhe dashamirësisë.