Nga: Nada Biraçi
Fotografia: Erjon Beshiri
Vendndodhja: Sezon Dekor
Të fusësh Julkën në ‘mood-in’ e festave duket se është gjëja më e thjeshtë në botë.
Setin e fotove të Julkës, Ian dhe Greg e realizuam në shtëpinë magjike të festave Sezon Dekor. Në fakt nuk ishte aspak surprizë të shihnim se si mami Julka bëhej fëmijë pas çdo shkrepje të aparatit, herë 6 vjeç sa Greg e herë 10 sa Ian. Njësoj si emri përkëdhelës i fëmijërisë së Julianës që e ka shoqëruar gjithë jetës, ashtu edhe me çiltërsinë e një fëmije Julka beson se pas çdo stuhie del gjithmonë dielli…
Dikur, diku kam lexuar se rregulli i artë për një jetë të lumtur është ‘të mos e humbasësh kurrë fëmijën brenda teje’. Nuk di të them nëse mami i Ian dhe Greg ka ndjekur këtë filozofi në jetën e saj, por për këdo që e njeh Julkën qoftë edhe virtualisht, dallon qartazi se të qenit ‘e rritur’ nuk është loja e saj e preferuar…
Përshëndetje Julka; si shkoi dita sot?
Huh… Kjo dita full me aktivitete profesionale në Radio Energy për t’u mbyllur me atmosferë festash në shtëpi. Nxirr pemë, nxirr zbukurimet e vjetra dhe ato të blera rishtaz, bëj lëmsh gjithë vendin, rrotullohu andej këtej me dritat, thyej toptha, qeshje, muzikë Krishtlindjesh, përqafime, kërcime…
U duk se bota nisi festimet më herët këtë vit, si mënyrë për të shporrur përjetimet e këqija të pandemisë. Në familjen tuaj kur nisi?
Si rrallëherë këtë vit edhe ne e bëmë pemën shumë më përpara se çdo herë tjetër. Pema u vu që më 26 nëntor e zbukurimet e reja u blenë që dy javë më parë.
Si e përjetojnë Ian dhe Greg këtë atmosferën e dritave të festave? Çfarë dhurate i kanë kërkuar Babagjyshit ata këtë vit? Po ti?
Ooooohhh. Ian duket se është rritur ca, por Gregut i ndriçojnë syçkat më tepër se çdo dritë Krishtlindjesh. Është një atmosferë shumë e bukur. Ne gjithnjë vëmë këngë Krishtlindjesh në sfond dhe vërtet është shumë ngrohtë e plot buzëqeshje atmosfera. Unë e përjetoj njësoj si Greg por me më tepër lodhje. Nuk ngopem dot dukë parë pemën dhe duke shijuar ndjesinë e paqtë që më jep…Listën e Babagjyshit ende nuk e kemi bërë, ndoshta sepse s’ka pak që blemë disa dhurata për djemtë ngaqë kanë qenë të shkëlqyer. Megjithatë prej dy vitesh dhurata që kërkon Ian është që të zhduket Covid dhe t’i rikthehemi jetës normale, do të donte të vinte gjyshi edhe pse kjo është praktikisht e pamundur pasi ai ka ndërruar jetë…
Ndërsa unë? Kam kohë që i kërkoj Babagjyshit vetëm shëndet për të dashurit e mi por ka vite që dashamirës e bashkëpunëtorë ma bëjnë të gjithë muajin dhjetor kaq special me kaq shumë dhurata që më dërgojnë. Këtë vit kanë nisur që në nëntor në fakt dhe u jam shumë falenderuese.
Na e përshkruaj pak momentin e vendosjes së pemës dhe dekorimit të shtëpisë për festa? Si i ndani detyrat?
Detyrat janë shumë të thjeshta… Babi na ndihmon me vendosjen e pemës dhe zakonisht dhe me vendosjen e dritave, por këtë vit hoqi dorë nga misioni. Pastaj mama dhe djemtë e zbukurojnë e këta të fundit sigurohen që të thyejnë dhe topa çdo herë. (Qesh)
Po gatimi? Impenjohet e gjithë familja? Apo mbetet detyrë e mamit?
Në fakt mbetet detyrë e mamit tim kryesisht… Tani që po e mendoj nuk e kam festuar kurrë vitin e Ri në shtëpinë time. (Qesh)
Cila është pjata që nuk mungon asnjëherë në tryezën e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri në familjen tuaj dhe me të cilën ti krenohesh?
Duke qenë se unë në ditët e festave kam qenë gjithnjë në transmetime maratonë radiofonike, nuk para kam kohë që të impenjohem seriozisht në të gatuar. Megjithatë kujdesem që të porosis në kohë gatime nga shefat e preferuar në qytet ose të merrem me gjërat e aperitivit.
Ëmbëlsirën tradicionale të Vitit të Ri, bakllavanë ke tentuar ndonjëherë ta bësh vetë?
As që më ka kaluar ndonjëherë ndërmend. (Qesh) Fatmirësisht ka zgjidhje plot, por si ajo që bën mami im nuk gjej kund.
Ku keni menduar ta kaloni Krishtlindjen dhe Vitin e Ri këtë vit?
Në fakt këtë vit kishim planifikuar të shkonim ta kalonim pranë familjes së Andit në Itali, por me këto mbyllje për shkak Covidi çdo plan rrëzohet. Gjithsesi përveç një viti që kam qenë në NY për Krishtlindje nuk ka ndodhur kurrë që festat t’i kaloj larg familjes sime të madhe e mikeshave të mia të zemrës.
I sjell shpesh në mendje festat gjatë kohës së fëmijërisë tënde? Çfarë ruan fort në memorje nga ajo kohë?
Po festat kanë pasur tjetër magji asokohe. Mbaj mend një lloj gëzimi që ndieja përbrenda që tek zbukurimet me pambuk nëpër xhamat e klasës, vargjet me ngjyra, bredhat natyralë me aromën karakteristike në shtëpi që edhe pse nuk kemi pasur zbukurime kaq të bukura si tani, kanë qenë bredhat më të bukur në botë. Ajo dita e 31 dhjetorit më dukej kaq e bukur. Gëzoja dhe për programet speciale për fëmijë që shihnim në TV, mezi prisja të merrja dhuratën që kishin përgatitur prindërit, pastaj darka tradicionale, vizitat tek njëri-tjetri, pakot me portokalle, molle, arra që sillnin njerëzit dhuratë për fëmijët (nëse ishe me fat mund të kishte dhe ndonje lek) e drekat e darkat zinxhir nëpër fis pastaj (gjë që është inekzistente tani).
Nisur nga fëmijëria e Julkës, a ka diçka që do të doje t’ja sillje Ianit dhe Gregut nga ajo kohë? Cilat janë kujtimet e fëmijërisë që do të doje t’i jetonin edhe djemtë e tu sot?
Po padyshim ngrohtësinë familjare dhe dashurinë… Do përpiqem që Ianit dhe Greg të mos i mungojnë kurrë dhuratat poshtë pemës (sado të vogla qofshin ato), kur zbresin ashtu me pizhama dhe hapin plot kureshtje kutitë plot ngjyra… Është një nga momentet më të bukura që kur kanë qenë bebe dhe i kam fiksuar me fanatizëm që t’i shijojnë kur të rriten. Do të doja që në të ardhmen të udhëtonim më shumë në mënyrë që festat të marrin një tjetër shije dhe të pasurohen edhe më shumë… Eksperiencat janë padyshim dhurata të vyera…
Dhurata që të ka mbetur në mendje që i kanë bërë Julkës fëmijë?
Me ato që kanë qenë mundësirat, mbaj mend që një herë më kanë bërë një kitarë të vogël në ngjyrë të kaltër dhe një fyell si të fildishtë.
Një urim zemre për veten, të dashurit e tu dhe lexuesit e Bordo?!
Kam përshtypjen që urimet këto vitet e fundit nisin të gjithë me të njëjtën frazë SHËNDET! Sa më shumë shëndet për të gjithë dhe dhe sa më shumë stabilitet financiar në këto kohëra të vështira. Sa më shumë kujtime të bukura, nga ato që kur kthen kokën pas të shkaktojnë një buzëqeshje në fytyrë e shpirt… Shijojeni këtë vit që po vjen, kaloni kohë me personat e dashur, mos i merrni gjërat shumë seriozisht dhe mendoni pozitivisht, gjithnjë… Jam e sigurt që çdo e keqe e ka një të mirë nga pas!
Pas çdo stuhie del gjithnjë dielli apo jo?



















