KreuArt

Era e ndryshimit e Erla Mëhillit!

Nga Olsi Kolami 

E veshur krejt me të zeza, ajo është një siluetë tejet femërore, stil chic dhe elegante. Flokë të zinj me krela të vogla, të prera kasketë, pak përmbi supe dhe një buzëqeshje të dlirë, e cila theksohet edhe më fort nga lëkura me pigment të kafenjtë dhe dhëmbët e bardhë. Erla Mëhilli, mama e dy djemve dhe bashkëshorte e politikanit Keltis Kruja, ka gjetur gjithmonë kohën për t’i bërë të gjitha, karrierën dhe prindërimin, duke bërë gjithçka shumë mirë në kohën dhe mënyrën më të mirë. Por tani, ka nisur të fryjë një erë e re në jetën e saj, ajo era e ndryshimit, që siç e pranon për BORDO: televizioni, ishte pikërisht momenti dhe koha e duhur…!

Erla, ose ndryshe zëdhënësja më jetëgjatë në krah liderit historik të PD-së, Sali Berisha, nuk e fsheh se në 15 vitet që ka punuar me të në krah, figura e tij nuk i ka bërë aspak hije, përkundrazi, i ka dhënë shkëlqimin, besimin dhe lirinë, që vetëm ajo ka ditur ta mbajë për kaq gjatë, e së fundmi bekimin për t’u bërë pjesë e ekranit me një program televiziv nën logon e Euronews Albania. “Propozimi i parë për programin erdhi nga Ilva Tare dhe drejtuesit e televizionit. Nuk e prisja, sepse nuk e kisha menduar të kisha një emision. Kur takova Ilvën ajo më tha që do të largohej në Amerikë.” – rrëfen Erla. Ato ditë të muajit Mars kur i erdhi propozimi dhe befas duhet të vendoste, ajo punonte ende si këshilltare e Sali Berishës, e sidomos ky moment dyzimi ndodhi pak para se fushata zgjedhore të startonte. Ajo e pranon se ai e priti shumë mirë zgjedhjen e saj dhe largimin nga zyra e tij drejt një studioje televizive. Erla ishte bindur se ky ishte një largim krejt natyral, i cili herët a vonë do të ndodhte, ndaj na konfidon se pak para ndarjes, Berisha i ka dhënë edhe një këshillë. “Edhe pse nuk isha shkëputur zyrtarisht nga posti i këshilltares së Berishës, ai e priti shumë mirë dhe më dha një këshillë; të ruaja ritmin në program. Sigurisht që kemi folur edhe pas programit të parë dhe kemi kontakte sërish, pavarësisht punës time të re”.

Të punuarit krah Berishës për Erlën kanë qenë një shkollë, ose siç preferon ta quajë një universitet të dytë. E ky universitet nisi teksa ajo, shumë e re vendosi të ngjitej në zyrat e PD-së, e më pas në foltore për të komunikuar deklaratat e Partisë. Foltorja e Partisë Demokratike nuk e ka trembur për asnjë çast, edhe pse asokohe, kur u ngjit mbi të, ishte vetëm 27 vjeç. Nga ai çast, Erla Mëhilli u bë zëri dhe fytyra e një forcë madhore politike, ku qoftë edhe një fjalë apo gjest, mund t’i shkatërronte të ardhmen, por nuk ndodhi asgjë, sepse të kesh një besim të fortë tek vetja siç ajo e ka, do të thotë të shohësh edhe përtej kthinës më të errët, ku asnjë pikë dritë nuk parashikon të ardhmen. Sot, e ulur në një kolltuk komod, atë të prezantueses së “Raw Politics” në EuroNews, daljen e saj të parë publike, Erla e kujton si një sfidë, një vend ku artikulimi, e padyshim vitet e studimeve në Itali për Shkenca Komunikimi u materializuan lehtësisht në vetëdijen e saj. “Eksperienca politike më ka ndihmuar shumë për të pasur një program politik në televizion. Nëse kjo do të kishte ardhur më përpara, nuk e di nëse do ta kisha bërë. Politikën e njoh shumë mirë, kam kontaktet e duhura dhe një formim të shëndetshëm. Vitet e fundit në opozitë më kanë bërë të jem më e ftohtë në gjykimin tim, por edhe të kem një mendim më të pjekur politik” – thekson prezantuesja e Euronews Albania.

Momenti i parë para kamerës së Ewronews Albania, kur dritat e studios u ndezën, i kujton pa shumë emocione, iu duk sikur gjithçka erdhi në mënyrë natyrale, si një punë që e kishte bërë gjithmonë. Nuk u ndje aspak e drojtur pasi drita e kuqe nisi të pulsonte. “Unë nuk kam pasur asnjë sforco para kamerës. Ndihem natyrale dhe komportohem në mënyrën më të lirshme. Kështu më ndodhi edhe kur dola për herë të parë në foltoren e PD-së. E mora deklaratën në dorë, guxova dhe dola direkt në konferencë për shtyp. Pata emocione dhe mu duk sikur kalova nga paragrafi i parë tek i treti, por kur e pashë veten në ekran ishte krejt natyrale. Mendoj se çdo gjë është e brendshme, sepse kështu jam edhe në jetën time, ndaj nuk më duhet të ndryshoj para kamerave” – rrëfen zëdhënësja më jetëgjatë e Sali Berishës.

Pozicioni i ri i duket impenjativ, por jo i pamundur. Fakti që prej 15 vitesh Erla ka mundur të hyjë në lëkurën e çdo gazetari, duke menduar dhe jetuar si ata, madje u ka dhënë zë e figurë kronikave të tyre, vjen ky moment kur gjithçka, duhet ta përjetojë deri në qelizat e qënies së saj, si një gazetare. “Ndihem në habitatin tim, sepse Raw Politics ka të bëjë me formimin tim dhe detyrat që kam bërë, politika dhe media. Tani ato janë të ndërthurura, por në një televizion si Euronews, nevojitet më shumë balancë për temat e aktualitetit, të mos shfaq qëndrim. Unë mund ta kem një të tillë, sepse njeriu duhet të jetë vetvetja, por nuk duhet të ndrydhet deri në atë pikë sa të bëhet steril” – shprehet Mëhilli.

Pasi kaloi me sukses sprovën e parë të këtij sezoni, në shtator e pret një periudhë akoma më intensive. Zbulon për Bordo se formati do të ndryshojë. Raw Politics do të ketë një studio më të madhe dhe një panel më të gjerë, po ashtu edhe fasha e orarit do të jetë më madhe. “Raw Politics është një format origjinal i Euronews dhe konsiston në trajtimin e lajmit sapo ai ndodh, si të thuash ‘crudo’ apo ‘shqeto’. Edhe unë jam pak si tip raw, sepse sado që dua të jem e kujdesshme në të shprehurin tim në publik, kur kam dashur e kam thënë atë që mendoj. Edhe formati është brenda natyrës dhe karakterit tim” – rrëfen drejtuesja e Raw Politics në Euronews. Ndoshta fakti që ka besim tek vetja e bën të ndihet krejt natyrale nën punën e re, e për më shumë, kur shpesh përballë, të ftuarit janë miq me të cilët ka ndarë sfida të mëdha politike. Kujton me të qeshur, sesi një prej tyre, Majlinda Bregu, e ktheu pas në kohë, por njëkohësisht e bëri të ndihej komode gjatë intervistës në studio, madje në fund, kur minutat ishin duke mbaruar, i ngjau sikur ishin ende ato dy mikeshat që ndanin mendimet me një dlirësi, që publiku thuajse as nuk e ka kuptuar nga shtëpia. Erla e pranon se ka shumë miq, disa prej të cilëve që nga koha e Kabinetit mbeten ende të tillë pas kaq shumë vitesh, brenda ose jashtë politikës, mes të cilëve Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, të cilëve kur i konfidoi për herë të parë projektin e saj televiziv, ata e kishin inkurajuar. “Sigurisht Kelti ishte i pari, pastaj motra dhe familja ime të cilëve u tregova për propozimin për të qenë në ekran. Kelti më mbështeti pa hezitim, ndërsa motra më tha se ky ishte momenti im i duhur. Për fëmijët mund të them që vetëm më kanë parë në ekran, ashtu si herët e tjera, pa e ditur aspak se kjo është një punë krejt e re”- rrëfen Erla, me një buzëqeshje natyrale.

Tani, pasi u ka dhënë fund detyrave zyrtare, jo më si zëdhënësja më jetëgjatë e PD-së dhe e ish kryeministrit, e pranon se shpesh në atë post është ndier e “gozhduar”, duke cytur natyrën, pse jo edhe aspektin femëror, kur bëhej fjalë për veshje paksa më ekstravagante. Familja e saj, një nga më të njohurat në Tiranë, me dy prindër mjekë të cilët e kanë motivuar gjithnjë në zgjedhjet e saj, ndërsa e motra …, ka qenë busulla orientuese në zgjedhjet që ka bërë në jetë. “Raportet me motrën e cila është avokate i kam shumë të mira. Edhe pse kemi 10 vite diferencë, ajo është fansja më e madhe e këtij ndryshimi. Ajo ka qenë personi që më ka qëndruar dhe kujdesur për mua gjatë kohës së studimeve në Itali. Për zgjedhjen e studimeve ishte ajo që më sugjeroi Fakultetin, m’u bë si një mami e dytë: më ka shtrënguar pak gjatë Universitetit, por më mirë që ndodhi kështu, sepse kjo bëri që të mbaroja me sukses studimet” – shprehet Mëhilli.

Njohja me bashkëshortin ishte si të thuash si një romancë blu, sepse ndodhi brenda Partisë Demokratike, ishin të dy të rinj dhe zbuluan se përveçse kishin bindje të njëjta, kishin edhe shumë të përbashkëta të cilat i çuan drejt altarit, duke finalizuar martesën, nga e cila kanë dy djem. “Me Keltin nuk debatojmë shumë, sepse ai është më i qetë si natyrë. Unë jam më instiktive, Kelti është më me këmbë në tokë. Kur bëja analiza politike e kisha të vështirë të ruaja ekuilibrin, të isha më objektive, ndaj Kelti mundohej të më mbante në këtë pikë duke u bërë busull për mua dhe kritiku im më të fortë”. Vitet e fundit, kohën më të madhe e kalon me fëmijët, Kelti është gjithnjë prezent, por ama e pranon se ai nuk hyn tek ata baballarët që merren gjithë kohës me fëmijët. E pranon se mëmësia e ka ndryshuar, i sheh gjërat ndryshe dhe shumë prej tyre që ka bërë, qofshin edhe për kauza politike, sot ndoshta as që do t’i imagjinonte. “Mëmësia më ka pjekur. Po të kthesha pas në kohë, shumë gjëra do t’i bëja ndryshe në profesionin tim. Kur isha zëdhënëse e PD-së, deklaratat politike ishin të forta. Disa sulme politike përfshinin edhe familjarët, ndaj me syrin e gruas dhe nënës që i shoh sot, nuk do t’i bëja. Të gjithë e dinë që ato kanë qenë qëndrime partiake dhe jo personale, por ka qenë e panevojshme gjuha konfliktuale, aq më tepër në gojën e një vajze të re” – konfidon ajo për Bordo. Në një farë mënyre, ajo ndjen një lehtësim, thekson se ata që e njohin ja dinë natyrën, madje edhe personazhe të Majtë, disa prej të cilëve i ka ftuar në emision, nuk e shohin si Erla e PD-së, pa e fshehur se mund të ketë paragjykime për faktin që ajo është e Djathtë, ashtu si nuk e mohon, që është po kaq kritike për të Djathtën, kur ka qenë e nevojshme.

Sot, jeta e saj rend pas familjes dhe televizionit, pasionet e saj, mes tyre sporti, si: vrapi, noti apo palestra, nuk kanë qenë dhe aq pjesë e rutinës së saj, sidomos pas periudhës së pandemisë, por Erla ndihet paksa komode, sepse gjenet e mira që ka bartur nga prindërit, janë pjesë e trashëgimisë së paçmuar, për të cilën u është mirënjohëse. “Gjenet janë një aspekt, por nga ana tjetër kujdesem për veten, ushqehem në mënyrë të rregullt dhe nuk harroj trajtimet e duhura estetike. Raportin me blerjet i kam pak të “këqija”, e kam pasion dhe më pëlqen të vishem bukur. Më parë, më së shumti veshjet e mia ishin kostume, por nga momenti që ishim në opozitë kalova tek stili më sportiv, hoqa takat dhe i zëvendësova me atletetet”.

E në fund, para se të ngrihemi, sepse detyra e saj e re e thërret, jam sërish kurioz ta pyes për raportet me ish-kryeministrin Sali Berisha. Erla qesh! Ajo e di që figura e tij ka gjithmonë një aureolë kaq misterioze për këdo, ndaj nuk resht së theksuari se Berisha është një enciklopedi më vete dhe ndihet me fat që ka punuar krah tij. “Këto 8 vitet e fundit, kur kemi qenë më të lire dhe nuk kemi qenë më brenda kornizave politike flisnin më shpesh për familjen, artin, letërsinë, muzikën….! Berisha është një enciklopedi, një universitet më vete” – përfundon Erla Mëhilli, vajza e cila tani nuk do të jetë më zëdhënësja, por gazetarja e Euronews Albania.

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF