KreuCelebrity

7 vjeçarja nga Kievi përdor famën e saj për të ndihmuar Ukrainën!

Një vajzë e vogël ukrainase, videoja e së cilës duke kënduar u bë virale ndërsa ishte në një vendstrehim në Kiev, po përdor famën e saj të re për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për vendin e saj. Shtatë vjeçarja Amelia Anisovych shkriu zemrat anembanë botës teksa këndoi këngën e njohur të Disney “Let it Go” nga filmi “Frozen”.  Kur Amelia 7-vjeçare filloi të këndonte në vendstrehimin kundër bombardimeve ruse në Kiev, dhoma e zhurmshme e nëndheshme e mbushur me njerëz që fshiheshin nga bombardimet ruse, ra plotësisht në heshtje. E regjistruar dhe e postuar nga një fqinje e saj e quajtur Martha, videoja e Amelias duke kënduar një këngë nga filmi i Disney “Frozen” u bë pothuajse menjëherë virale.

“Doja t’i gëzoja njerëzit. Atyre iu pëlqeu shumë, të gjithë duartrokitën, dhe më përshëndetën”, thotë Amelia për VOA. Amelia e tregon këtë histori në një park të qetë pranë kryeqytetit të Polonisë, së bashku me nënën e saj, Lilia, dhe gjyshen, Viran. Duke ushqyer zogjtë në liqen, ajo kujton se si ushqente rosat në Ukrainë. Dhe se si kur filloi lufta, ajo shpesh shkonte në vendstrehim dhe duhej ta shikonte çdo hap që hidhte për shkak të minave të mundshme gjatë rrugës. Nëna e saj, Lilia, kujtoi momentin kur vendosi se duhej të largohej nga Kievi.

“Amelia filloi të kishte frikë të rrinte pranë dritareve. Dhe kur dilnim nga shtëpia për të shkuar në vendstrehim ku shkonim natën, ajo më pyeste në çdo hap, a mund ta hedh hapin dhe nëse isha e sigurt. Në atë moment vendosa, e kuptova se ishte fundi, ishte vija e kuqe. Nëse e kaloja atë dhe do të qëndronim në Kiev, ajo do të dëmtohej psikologjikisht, dhe mund të bëhej një fëmijë që ka frikë nga hija e saj”, shpjegon Lilia.

Nëna e saj thotë se njerëzit po i trajtojnë mirë këtu në Poloni. Familja prej katër anëtarësh jeton falas në një shtëpi pranë Varshavës. Amelia dhe vëllai i saj 15-vjeçar, Misha, mund të ndjekin shkollën këtu. Por nëna e tyre shpreson se ata do të jenë në gjendje të kthehen së shpejti në shtëpinë e tyre. Tani për tani, Amelia e vogël po përdor talentin e saj dhe famën e sapo krijuar duke kënduar në koncerte bamirësie në Poloni dhe duke mbledhur shumë fonde për të ndihmuar Ukrainën.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF