Ish-kryeministri Fatos Nano vijon të qëndrojë i shtruar prej një jave në një spital privat në Tiranë. Abc News thote se ish kryeministri eshte reanimacion i intubuar për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe se gjendja nuk ka ndryshuar të paktën me një ditë më parë.
Sipas stafit mjekësor, ai është në gjendje të stabilizuar, parametrat e oksigjenimit në gjak janë përmirësuar krahasuar me ditët e para të qëndrimit në spital. Megjithatë, ish lideri socialist vijon të jetë i intubuar me frymëmarrje të komanduar dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Ish lideri i PS-së vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ai u dërgua në spital nga familjarët të enjten e kaluar. Nano vuan prej kohësh nga kjo sëmundje dhe në të kaluarën është paraqitur në spital për të marrë shërbimin mjekësor.
Më herët, gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama dekoroi ish liderin historik të PS-së, me medaljen Yll të Mirënjohjes Publike. “Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.