Në maj të këtij viti, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Amerikano Shqiptar i Zhvillimit shpallën thirrjen për kompanitë që janë të interesuara të marrin me qira ambiente tek Piramida e Tiranës.
Thirrja ishte pjesë e një projekti madhor për rijetësimin e Piramidës së Tiranës, dhe transformimin e saj në një qendër multi-funksionale dhe teknologjie për të rinjtë, shkruan boldnews. Sipas planit, në një pjesë kryesore të godinës do pozicionet TUMO Tirana, një program passhkollor, ku nxënësit e moshave 12-18 vjeç mund të zgjerojnë aftësitë e tyre krijuese dhe analitike në 8 disiplina të ndryshme: Programim; Animacion; Zhvillimi i Lojërave; Dizajn Grafik; Realizimi i filmave; Muzikë; Robotika dhe Modelim 3D. Ndërsa pjesa tjetër e ambienteve do t’iu ofrohet me qira subjekteve private të interesuara. nga sektorë të tillë si: Start Up, biznese nga industria e teknologjisë digjitale, industritë krijuese, artet, arsimi dhe media.
Në mars, kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij facebook, fotot e transformimit të Piramidës.
“Mirëmëngjes, dhe me punën e përditshme në kantierin e Piramidës së Tiranës, e cila së shpejti do të jetë gati për qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në Ballkan, ju uroj një javë të mbarë,” shkruante kryeministri. Por këtë të martë, portal JOQ ka publikuar një lajm sipas të cilit, një pjesë e katit të parë të Piramidës, do t’i jepet kompanisë së prezantuese Arbana Osmani për të ndërtuar aty restorant. Portali pretendon se ka siguruar dhe dokumentet qe e vertetojne kete. Kompania me emrin “Bana’s” ka vënë si adresë të saj në ekstraktin e depozituar në QKB, pikërisht katin e parë të Piramidës. Nga moderatorja vete nuk ka ende asnje reagim.