Nga Nada Biraçi
Për herë të parë që nga nisja e karrierës si moderatore, Dojna Mema zgjodhi të mos jetë më pjesë e Top Channel, e po ashtu në vazhdën e sagës së ndryshimeve, sykaltra e ekranit veshi kravatën e një programi investigativ, që nuk i ngjan asnjë eksperience të mëparshme. “Piranjat” dhe dritarja e “Syri Tv” janë tashmë shtëpia e re mediatike e Dojna Memës…
Dojna Mema në “Piranjat”, si dhe për herë të parë që nga nisja e karrierës, në një tjetër logo televizive? Si je gjendur në këtë format, a ishte e vështirë përshtatja?
Përshtatja te “Piranjat” ka qenë shumë organike. Erdhi natyrshëm e pa asnjë lloj sforcimi. Ka qenë padyshim meritë e gjithë stafit dhe e Flor Binajt në skenë, i cili është pa asnjë fije dyshimi partneri më i rehatshëm që kam patur ndonjëherë në krah.
Pak kohë më parë nëpërmjet një deklarate në Story në rrjetin social Instagram, je shprehur mjaft skeptike për rikthimin tënd në ekran, u duk se të paktën për momentin nuk ishte aspak në planet e tua të afërta…Çfarë të shtyu të rikthehesh?
“Piranjat” ishte i vetmi format që transmetohet në 13 ekranet tona, i cili mund të më bënte të rikthehesha. I ka të gjitha brenda: ‘Show-n’, por edhe përgjegjësinë e një programi ku protagonistët janë njerëzit, të cilët ndihen të padëgjuar.
Kalimi nga dramat e një ‘reality-show’ si “Big Brother” te kravata e një programi investigativ, në çfarë sfidash ka kaluar Dojna?
Profesionalisht kisha dëshirë të kaloja në një gjini gazetarie më me përgjegjësi. Kështu që isha mëse gati për këtë hap të radhës në karrierën time. I kam bërë të gjitha në kohën e duhur dhe secili program i përgjigjej moshës e pjekurisë sime në atë moment.
Pse u largove nga Top Channel; ishte mungesa e një oferte të përshtatshme apo…?
Top Channel besoi tek unë kur isha thjesht studente, ndaj i jam mirënjohëse për fillimet e mia. Më pas punova fort dhe meritova çdo sukses. Ne këtë fazë të karrierës sime, nuk u krijuan kushtet e përbashkëta për të vazhduar më tej bashkëpunimin.
“Të jem e drejtë, është virtyti dhe defekti im”; ka thënë Dojna Mema. Sa shpesh je hasur me padrejtësi në ambientin e punës në televizion?
Fatkeqësisht ne jetojmë në një botë ku hasemi çdo ditë me padrejtësi, dhe sigurisht televizioni nuk bën përjashtim. Megjithatë unë fle çdo mbrëmje e qetë, se nuk kam shkelur kurrë mbi dikë për t’u ngritur vetë, si kam bërë keq askujt dhe kjo është ndjesia më çliruese që mund të përjetosh.
Ke zgjedhur të përballesh, apo të luash lojën e tyre?
Kam zgjedhur të vazhdoj punën time ose të largohem.
Cila është mikesha më e mirë që ke nga televizioni?
Mikesha kam shumë, por shoqet e mia të ngushta i kam që nga klasa e parë fillore dhe jo nga televizioni.
E ke ndjerë ndonjëherë xhelozinë e kolegeve të ekranit?
Personalisht nuk e kam ndjerë sepse nuk kaloj kohë përtej punës në mjediset e televizionit, kështu fokusohem vetëm te puna dhe s’marr vesh asgjë që mund të ndodhë përtej atij orari.
Ke patur oferta së fundmi në televizion, të cilat i ke refuzuar? Nëse po cilët?
Kam patur oferta të cilat i kam konsideruar dhe në fund zgjodha programin të cilin e kam vlerësuar që në momentin e parë, që e pashë në ekran.
Përveç programit që po moderon aktualisht; në këndvështrimin tënd cili është programi më i mirë në Shqipëri?
Varet në çfarë këndvështrimi e përkufizon një program “të mirë”. Për nga përgjegjësia sociale që ka, besoj fort se “Piranjat” është programi më i mirë në Shqipëri.
Nëse një program do të kishte autorësinë e Dojna Memës, çfarë natyre/formati do të ishte?
Programet e së shkuarës kanë patur thuajse të gjitha autorësinë time. Pavarësisht se nuk e kam trumbetuar shumë, sepse ka qenë pjesë e punës së prapaskenës. Unë jam në zhvillim të vazhdueshëm, për kohën që merrja përsipër autorësinë e një programi, në atë moment ai ishte çfarë doja të bëja. Nuk investohem kurrë në një projekt që s’më pëlqen. Koha ime është më e shtrenjtë se fama e paraja.
Të qenit personazh publik, a legjitimon në një farë mënyrë edhe një ‘detyrim’ edukimi dhe përgjegjësie ndaj publikut, apo ju nuk e shihni kështu?
Absolutisht po. Të kesh një mikrofon apo një platformë sociale që ndiqet nga shumë njerëz, të bën të jesh model për shumë prej tyre. Ky rol vjen me shumë të mira dhe përgjegjësi. Secili prej nesh që bën një profesion të tillë, ka në dorë mundësinë për të bërë mirë, ndaj nëse zgjedh të kundërtën po tregohesh cinik ose dritëshkurtër.
Bullizmi, problemet e shëndetit mendor apo edhe ngacmimet seksuale në vendin e punës, janë tema që po trajtohen çdo ditë e më shumë nga personazhe të njohur të A listës botërore. Dojna, ka patur episode të tilla në jetën e saj?
Fatmirësisht jo! Në shkollë kam bërë Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe rrjedhimisht jam rritur, që nga klasa e parë e deri në vit të katërt me të njëjtët njerëz. Ishte më shumë si një mjedis familje të madhe, sesa shkolla tipike. Probleme të shëndetit mendor nuk kam patur. Kam qenë gjithmonë e mirë në të dhënit të vendit që meriton çdo emocioni që ndiej. Kjo mi ka bërë idetë e qarta, edhe në ditët më të vështira. Gjithashtu ngacmime seksuale në vendin e punës apo edhe përtej tij, nuk kam patur.
Mami Dojna, me siguri ky epitet të shijon shumë…Të jesh mami ishte siç e kishe menduar? Çfarë ke zbuluar të re te vetja gjatë mëmësisë?
Kam zbuluar se si të zmadhohet bota nga vetëm një përqafim. Nolan Sol më mbërthen si koala dhe më largon çdo mendim.
Po raporti me Vlashentin, si ka ndryshuar me ardhjen e Nolan Sol në jetën tuaj?
Jemi forcuar edhe më tepër. Nëse më përpara mund të bënim fjalë edhe për gjëra totalisht të parëndësishme, sot as nuk i përfillim. Kur mblidhemi në shtëpi, jemi vetëm ne të tre dhe e gjithë bota jashtë.
A do të ketë mundësi Nolan Sol ta shohi mamin nuse? Pra, është në planet tuaja një dasmë? Nëse po, çfarë natyre do të ketë?
Për momentin nuk e kemi fare në plan një dasmë. Unë nuk jam njeri festash. Nëse Vlashenti më fton të udhëtojmë me ditë, muaj apo vite do ta ndiqja pa u menduar fare. Kjo është dasma jonë!