Enada At’Nikolla
“Është shumë e lehtë të kesh në kopertinë modele të reja, të kohës, por historia bën histori, e përpos kësaj risjellja edhe një herë në qendër të vëmendjes modelet e dikurshme, përbën shumë kuriozitet. Duke qenë se pjesa më e madhe e tyre, modelingun nuk e kanë më fokusin kryesor, fakti që i risjellim zgjon kërshëri. Si janë sot modelet që dikur ti i ke adhuruar?! Më vjen mirë të them se me çfarë u realizua në këtë set, pamë që s’është fare e vështirë, që këto ish-modele të jenë njësoj të adhuruara, edhe pas kaq kohësh”.
Enada, si ndihesh teksa risjell në fron edhe një herë krijimet e viteve më parë, veshur nga ish-modelet me të cilat ke punuar në të kaluarën?
Ndihem si para një seti të madh për fundvit, duke bërë gjithçka që të dali një punë e mirë, siç i ka hije fundvitit dhe bërjes bashkë të këtyre supermodeleve, që kanë bërë histori në fushën e modelingut. Kemi zgjedhur të gjitha veshjet ‘vintage’ në atelie dhe modelet më profesioniste të kohëve të kaluara. T’i bësh bashkë këto modele ikonike, mendoj se është një ide shumë tërheqëse, ndaj edhe ne u mobilizuam me shumë punë dhe një staf të madh që ka punuar për këtë ide, për ta sjellë te ju, te publiku gjithë panoramën e kuruar, ashtu siç e kemi menduar edhe ne.
Çfarë kujtimesh të vijnë në këtë ‘reunion’ modelesh dhe veshjesh?
Ky ‘reunion’ me këto veshje ‘vintage’ nuk më sjell thjesht kujtime, por duke qenë se te këto punime janë shumë vite punë, për mua janë një pjesë e trashëgimisë së ateliesë dhe jam shumë fanatike për to. Gjithmonë tentojmë të krijojmë veshje të reja, por kam kuptuar me kalimin e viteve që kemi bërë gjëra shumë të bukura në të kaluarën, ndoshta edhe më të bukura se ato që po bëjmë sot.
Një set ekskluziv me 9 modele. Duket e vështirë!
Për ne, kjo kopertinë dhe ky set janë shumë të rëndësishme, sepse mblidhen disa modele bashkë dhe përpos kënaqësisë për t’i parë, duhet ta themi që nuk është e thjeshtë të fotografosh dhe të realizosh një set ekskluziv me 9 modele, ku të gjitha janë protagoniste dhe secila prej tyre, është në qendër të vëmendjes. Janë 9 karaktere të ndryshme, 9 gjendje të ndryshme, të cilat vendosen në një foto dhe kjo nuk është aspak e lehtë.
Kishe bashkëpunuar me të gjitha modelet më parë?
Me disa prej tyre, kam punuar që kur kanë qenë të vogla fare. I kam takuar më pas, pas shumë vitesh dhe kam parë te secila një modele sigurisht më të maturuar profesionalisht, por brenda të njëjtës modele që ka qenë në fillimet e saj. Këto vajza tashmë janë rritur, janë bërë nëna, kanë krijuar profesionet e tyre dhe është shumë bukur që pas kaq shumë vitesh të ripërtërihen sërish në supermodele, në një ‘Cover’ të madh të revistës “Bordo”.
A është kjo kopertinë e rëndësishme sa të tjerat?
Nga përkushtimi dhe rëndësia, nuk ka dallim nga kopertinat e tjera. Por ndryshe nga kopertinat e tjera, këtu ka shumë nostalgji dhe jetë të jetuara në të gjitha dimensionet. Nuk është thjesht një foto!