Për Matilda Mcinin rikthimi te pasioni i vjetër, modelingu, është gjithmonë kënaqësi. Ndonëse karriera e saj ka marrë një tjetër kahje, pasi është investuar në televizion, sjellja e Matildës përballë aparatit vijon të jetë po njësoj, si të mos ketë kaluar asnjë ditë nga koha kur emri i saj kryesonte listat e modeleve shqiptare.
Matilda nga studiot televizive si moderatore, në një set fotosh si dikur në profesionin tënd të vjetër, modelingun. Si ndihesh?
Eksperiencë e jashtëzakonshme! Në vitin 2005 kam nisur për herë të parë, atëherë kur nisa të mësoja çfarë është modelingu, çfarë është poza, çfarë është të ecësh bukur. Në 2023-shin është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Theksoj se përgjatë këtyre viteve jeta jonë ka ndryshuar në dinamika të ndryshme, secila prej nesh ka zgjedhur profilin e saj, pjesa më e madhe e vajzave modele të asokohe, janë bërë nëna me fëmijë dhe teksa ne kthehemi sot të gjitha së bashku, na duket vetja sikur koha nuk ka ecur, nuk ka kaluar asnjë vit, asnjë minutë nga viti 2005 kur ne kemi nisur modelingun.
Pate déjà vu sot, teksa u ribashkove me ish-koleget?
Sot jam mami e një djali adoleshent, është 13 vjeç, dhe teksa fokusin kryesor dhe përkushtimin e kam te djali, më duhet të rikthej në vëmendje kujtime të bukura, nostalgji të jashtëzakonshme të shumë viteve më përpara. Kjo mbledhja e ditës së sotme vërtet që ishte një déjà vu e bukur, pasi na kujtoi pikërisht ato momente kur mblidheshim kaq të lumtura, kaq të gëzuara, harronim sakrificat, orët e gjata pa ngrënë, ose orë të tëra në majë të takave…thuajse i kishim harruar përgjatë këtyre viteve sepse përditshmëria, atletet, ritmi i vrullshëm i punës, dinamika, na kishin bërë në një farë mënyre që të harronim veten, të harronim sa të bukura jemi.
Cilat mendoni se janë ndryshimet mes brezit tuaj dhe brezit të tanishëm në këtë fushë?
Ndryshime ka plot. Brezat bëhen gjithmonë e më të bukur. Por unë nuk do ta krahasoja kurrë këtë brez të tanishëm, me atë çfarë kemi qenë ne kur e nisëm. Atëherë nuk kishte rrjete sociale, informacioni nuk ishte kaq i aksesueshëm sa është sot, duke u informuar në burime të ndryshme teknologjie. Ne vajzat e atij brezi ishim shumë më të çlirëta, shumë më të dashura dhe shumë dashamirëse ndaj njëra-tjetrës. Nëse kishte një event, ne menjëherë njoftonim njëra-tjetrën që të mblidheshim aty, pa patur kurrfarë xhelozie. Në këtë pikë, mendoj se qëndron edhe ndryshimi mes brezash, te çiltërsia që kishim. Sot brezi i ri është deri diku i varur dhe i ndikuar, jo gjithmonë shëndetshëm, nga rrjetet sociale, nga filtrat, duke patur gjithë kohës presionin e të dukurit bukur.



















