Evi Reçi mungoi këtë sezon në ekran si moderatore, por jo si këngëtare. Kënga “M’do” e solli sërish pranë publikut të saj në muzikë, e kësaj here në një formë ndryshe. Një projekt ideuar që në nisje nga partneri i saj Kledi, e solli Evin më sensuale se asnjëherë dhe impakti ishte pikërisht ai që pritej…
“Mdo” të rikthehu sërish te publiku si këngëtare, si po shkon kënga?
Kënga po shkon shumë mirë, besoj nga ana e audios po pëlqehet shumë kënga dhe shumë videoklipi, sepse për herë të parë dola pak më sensuale ndoshta. Nuk janë mësuar njerëzit me mua, kështu që për momentin po shkon shumë mirë.
Reagimi i Kledit kur pa këngën cili ishte?
Kledi e ka bërë këngën nga fillimi, sepse ishte ai që e ideoi si bashkëpunim. Ai ka dëgjuar demon për herë të parë, pastaj ma ka treguar mua. Është futur shumë në botën tonë tashmë artistike menaxheriale, pasi dëgjuam disa demo ai përzgjodhi këtë dhe kur e dëgjova unë e pëlqeva, kështu që nuk ishte surprizë për të.
Si është të punosh bashkë me partnerin tënd?
Deri tani duket mirë, sigurisht debatet janë ekzistuese gjithmonë, jo kjo bën jo kjo s’bën, por kur tjetri të kupton botën tënde, besoj që gjërat bëhen shumë më të lehta dhe të kuptueshme, aq më tepër kur në një showbiz shqiptar kaotik gjërat janë më të vështira. Një partner që të kupton punën është shumë e rëndësishme.
Për çfarë debatoni më tepër?
Debatojmë zakonisht për punën, që zakonisht janë rrethana të jashtme jo të brendshme, pra ‘filan fisteku’ nuk u soll mirë, nuk u dha projekti në orar, kështu që sherri plas aty më shumë dhe që unë duhet të bëj më shumë palestër ose nuk e di këto gjëra janë. Gjëra pune dhe palestre.
Moderimin apo këngën, cilën ke më afër zemrës?
Muzika është më afër zemrës, është ajo që mua më jep më shumë kënaqësi. Sigurisht, moderimi është pak më i thatë në emocione dhe pse ka shumë emocione brenda. Fakti që unë kur rikthehem, rikthehem me plot fuqinë time do të thotë që muzika ende zë vendin më të rëndësishëm në zemër.
Nga programet që janë aktualisht në televizionet shqiptare, cilin do të bëje me kënaqësi?
Okay, mund ta them, sepse ndoshta e kam provuar si konkurrente. Në 2014-n kam qenë konkurrente në “Dancing With the Stars” ku zura vendin e dytë, kështu që pse jo mos të moderoj një ditë edhe “Dancing With the Stars” ose një talent show muzikor, që besoj do të ishte shumë pranë vetes sime, pranë profilit tim.
A do të merrje pjesë ndonjëherë në një ‘reality show’ (Big Brother)?
Sa herë më është bërë kjo pyetje, sidomos pas situatave të fundit, ma kanë thënë, ma kanë propozuar disi, por nëse më pyet në këtë moment do të thosha jo. Në këtë moment jo, ka ca gjëra që duhet të përfundoj dhe ndoshta një ‘reality’ nuk e di a do t’i bëja mirë vetes, por për momentin do të thosha jo.
Me kë artist do të doje të kishe një bashkëpunim?
Nuk i kam fare këto gjëra. Unë zakonisht bashkëpunimet i kam rastësore. Ndoshta, ndoshta me Aurelën do të kisha qejf të bëja, sepse njihemi dhe personalisht. Aurela Gaçe është super artiste dhe besoj me atë do e bëja. Pastaj, nuk dua të bëj bashkëpunime kot, më mirë këndoj vetë. Bashkëpunimet i dua pak më të menduara, jo sa për të bërë. Kështu që do më shihni rrallë në bashkëpunime.
Me kë nuk do të bëje një bashkëpunim?
Nuk do të bëja bashkëpunim me persona që mendojnë që janë këngëtarë, edhe pse bëjnë karrierë, edhe pse bëjnë biznes, edhe pse bëjnë shumë klikime më thënë të drejtën. Emra sigurisht nuk mund të them se njihen, por janë ca vlera që për mua janë shumë të rëndësishme për t’i mbajtur në një këngë, por nuk po themi emra.
A ka qenë ndonjë nga këngët tua dedikim?
Këngë dedikim ka qenë “Jeton tek ti”, por nuk e kam shkruar unë. “Tjerr” ka qenë, por më shumë jo dedikim ndaj një situate apo një personi, ka qenë një ndjenjë, sepse “Tjerr” erdhi pas tërmetit edhe aty ishte një dhimbje që unë vazhdimisht e përpunoja dhe nuk dilte. “Tjerr” ka qenë në Festivalin e fundvitit, besoj se ka qenë një dedikim ndaj situatës që unë po përjetoja.
Në marrëdhënien tënde me Kledin, kush e bën më tepër ligjin?
Unë jam person që krijoj ndonjëherë kontroll të ekzagjeruar. Nuk dua që asnjëri të mbizotërojë në lidhje. Dua të mbizotërojë mirëkuptimi, kështu që nuk mbizotëron asnjeri. Jemi në balancë të plotë.
A ja kontrolloni telefonat njëri-tjetrit?
Jo, nuk ja kemi kontrolluar dhe pse i kemi me ‘pin’ dhe ‘face control’ (qesh). Po arritëm në pikën që të kontrollojmë telefonat, nuk është gjë e mirë.
Në showbiz bën më tepër miq apo armiq?
Miqtë janë të pakët, këtë mund ta theksoj, janë të numëruar në një dorë. Shoh një gjë që nuk më pëlqen shumë, është një mos suport. Edhe nëse të suportojnë është sepse ka një interes nga mbrapa. Nuk i konsideroj armiq, por i konsideroj jo dashamirës ose njerëz jo suportues, kur në fund të ditës kemi të njëjtin hall të gjithë artistët, të njëjtat probleme dhe të njëjtat konflikte ndoshta, të problemeve të të drejtave të autorit. Kështu që, besoj se miqtë nuk vijnë nga bota e showbizi-it.
Cila ka qenë puna jote e parë?
Kam pas dy punë të para. E para fare që kam marrë lekë ka qenë modele, 13 vjeçe në Greqi, si modele flokësh dhe rrobash. Aty ka qenë rroga e parë. Më pas si përkthyese e gjuhës greke dhe italiane në Firenze.
Për ditëlindje do të pëlqente një dhuratë e shtrenjtë apo dhuratë simbolike?
Simbolike absolutisht, mund të jetë një udhëtim, mund të jetë diçka që të më kujtojë diçka që po përjetoj. Dhuratat e shtrenjta sigurisht janë të bukura, duhet edhe t’i vlerësosh, unë nuk është se i vlerësoj shumë.
Cila është fjala që urren më tepër të dëgjosh?
Qetësohu! Lexova diku që asnjërit që i është thënë qetësohu, nuk është qetësuar. Kështu që mos ma thoni fjalën qetësohu, se më shumë nervozohem.
Je më tepër njeri mëngjesi apo darke?
100% mëngjesi. Kam një emision mëngjesi në radio, zgjohem çdo ditë në orën 6 të mëngjesit. Fle shumë herët për shkak të emisionit. Në darkë më zë gjumi shumë herët, në 10:30 11:00 unë detyrimisht duhet të fle gjumë.
Si e kalon fundjavën?
Në varësi të programeve që mund të kem, mundohem të udhëtoj në Austri, mundohem të shkoj në jug, mundohem të kaloj me miqtë e mi, ndoshta kaloj edhe kështu nga këto fundjavat pasive fare në shtëpi. Varion.
Në përditshmëri, si e kalon kohën e lirë?
Dita ime fillon në orën 6:00, mbaron në 10:00 nga puna. Më pas takimet, xhirimet, intervistat, mund të ketë palestër. Është futur palestra thellë në jetën time, që nuk ma merrte mendja këtë gjë. Shkoj shumë në kinema dhe teatër. Sa herë ka shfaqje dhe filma do të më gjeni aty.
Evi do të shohim këtë sezon në ekran?
Kam disa oferta, kam takuar njerëz të televizionit me propozime të ndryshme. Vlen të theksoj që më propozojnë përditshmërinë. Mëngjesi, pasdite, drekë dhe i falënderoj shumë, por unë kam mendimin që ka ardhur momenti që të bëj diçka tjetër në ekran. Do më shihni, por nëse nuk do të më shihni në ekran do të më shihni diku tjetër, që është si emision, por jo në ekran.



















