KreuCelebrity

Sonila Caushi, gruaja e bukur e marketingut!

Sonila Caushi, gruaja e bukur e marketingut!

Ishte viti 2006 kur në një prej bareve pranë Fakultetit të Filologjisë, teksa mëngjeseve konsumonim kafen shoqëruar me llogjet studentore, kalonte shpesh një vajzë a grua te të 30-tat, me flokët e prera shkurt, zeshkane me tipare tipike mesdhetare, fizik të hajthëm, sa indiferente aq edhe koketë njëherazi. Ndërsa ‘gruaja misterioze’, e cila asokohe jetonte në katet mbi barin e frekuentuar nga studentët bënte rutinën e saj të mëngjesit, kalimi i saj ndiqej nga dhjetëra sy përtej xhamit të barit. Trotuari i ngushtë që të çonte drejt hyrjes së pallatit dukej se imitonte një pasarelë mode, ndërsa zeshkania me flokët e prera shkurt nuk dukej asgjë më pak se një modele. Çdo mëngjes ajo përjetonte një moment ‘Malene’, pas së cilës edhe vetë Giuseppe Tornatore nuk do të ishte indiferent. Në fakt më vonë mësuam se ajo vërtetë kishte dalë nga pasarela, si pjesëmarrëse në konkursin e parë të bukurisë në Shqipëri. Ishte Sonila Caushi, një nga vajzat më të bukura të Tiranës në vitet ’90, tipar me të cilin dallon ende sot. Edhe pse pjesëmarrja në Miss Albania 1991, e ish-gjimnazistes së Petro Ninit, nuk kaloi pa u vënë re, bukuroshja Caushi zgjodhi ta mbylli aty karrierën si figurë publike me gjithë ofertat e herëpashershme për t’u bërë pjesë e televizionit.

Sonila Caushi, gruaja e bukur e marketingut!

“Jo, prit se më kujtohet që një vit më vonë pranova të bëhem imazh i reklamës së parë në Shqipëri, për produktin që sapo kishte ardhur këtu te ne, Nucrema. Dhe me këtë eksperiencë e mbylla aty karrierën time si vajzë ekrani”, tregon Sonila për “Bordo”. Edhe pse mori këtë vendim, Soni nuk do të ishte plotësisht jashtë ambientit të televizionit, pasi karriera e saj si eksperte marketingu nisi pikërisht në televizion, në departamentin e marketingut. Një eksperiencë që zgjati për 20 vite e po ashtu gjatë gjithë këtyre viteve për bukuroshen që qëndronte pas shifrave dhe kontratave, ofertat për të qenë pjesë e ekranit nuk kanë munguar asnjëherë. “Duke qenë se kam punuar prej 20 vitesh në televizion, kam patur oferta të herë pas hershme për të qenë pjesë e programeve të ndryshme, por zgjodha të jem pas ekranit. Nuk u josha asnjëherë për t’u kthyer në vajzë ekrani, sepse më pëlqente shumë puna ime në marketing”, shprehet Sonila. Por çfarë e shtyu ish-Miss-in të zgjidhte një profesion, që është krejt jashtë jetës publike?

Sonila Caushi, gruaja e bukur e marketingut!

“Është një profesion që i përshtatet aftësive të mia dhe zgjodha ta bëj marketingun në televizion, duke patur parasysh që e njoh botën e televizionit që në moshë të vogël. Ka qenë gjithmonë dëshira ime që të jem në televizion, por jo në ekran”, vijon më tej rrëfimin e saj Caushi. Për ata që e njohin, punojnë apo kanë punuar me Sonila Caushin krahas profesionalizmit dhe saktësisë në profesionin e saj, dëshmojnë se krah hijeshisë fizike, Sonilën e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës edhe një shije e hollë në veshje, çka e ka shndërruar në një grua me një stil të pagabueshëm dhe autentik, si aset i shtuar në sharmin e saj. Sonila është ajo shoqja ‘fashioniste’, me të cilën të gjitha mikeshat këshillohen në WhatsApp për një ide veshje apo kombinimi. Mami i dy djemve, Rei dhe Morgan, modestisht pranon se profesioni që ka zgjedhur nuk ja dikton aspak stilin e veshjes, pasi lehtësisht ajo di të miksojë bukur në një veshje autoritetin dhe modën. Nëse për shumë prej nesh mëngjeset, teksa rrekemi të realizojnë kombinimin e duhur në veshje, kthehet në fustrim, për Sonilën kjo është loja e preferuar. Lidhja me të bukurën duket se ka lindur bashkë me të, dhe Sonila kujton veten fëmijë teksa admironte kombinimet, këpucët llustrafine me taka dhe buzëkuqet e së ëmës: 

Sonila Caushi, gruaja e bukur e marketingut!

“Mendoj që stili vjen nga brenda dhe është i lindur. Mund të them që nëna ime ka qenë personi i parë që më ka prezantuar me estetikën dhe dëshirën për t’u dukur bukur. Qasjen e parë ndaj të bukurës, unë mendoj se e kam patur që kur kam lindur dhe kam parë nënën time”.

Kanë kaluar 33 vite që kur Sonila Caushi u shfaq krah bukurosheve të Miss Albania 1991, e që atëherë ndonëse preferoi një karrierë ndryshe nga ajo e dritave dhe prozhektorëve të skenës, Soni mbetet ende Miss dhe e përkëdhelur nga fati për të qenë një grua e bukur në çdo moshë. 

 

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF