Kinematografia shqiptare në zi! Regjisori i njohur i filmave shqiptarë, Vladimir Prifti ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur aktori Mevlan Shanaj me anë të një postimi në Facebook.
“Lamtumirë VLADIMIR PRIFTI ! Sapo më lajmëruan për ikjen e regjisorit të filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Era e ngrohtë e thellësive etj! Sot ekranit shqiptar i ka ikur , regjisori i shquar , njeriu me humor dhe me pasion për artin! Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm për mes veprës tënde”, shkruan Shanaj ne Facebook.
Vladimir Prifti ka lindur në 1942 në Tiranë. Ai mbaroi Akademinë e Arteve të bukura në vitin 1964, ndërsa njihet si realizues i shumë filmave artistik shqiptarë.
Regjisori ka nja kontribut të çmuar edhe si skenarist, në produksione si “Era e ngrohtë e thellësive” apo “Kush vdes në këmbë”, në të cilët ishte edhe regjisor. Largimi i një prej kineastëve më të mëdhenj të vendit tonë ka lënë plagë të thellë tek miqtë e kolegët.
“Era e ngrohtë e thellësive” (1982);
“Kush vdes në këmbë” (1985);
“Dhe vjen një ditë” (1987),
“Flutura në kabinën time” (1988);
“Dasma e Sakos” (1998);
“Të bekuarit” (2000);
“Butrinti” (2002);
“Legjenda e Baltës” (2003);
“Rruga Egnatia” (2005).



















