Nga Nada Biraçi
Fotografia: Arbnor Allaraj
Mira Pogaçi, një juriste e suksesshme me një karrierë që pakkush në moshën e saj e ka, vjen në një rrëfim për “Bordo” për sfidat, arritjet, balancat, mëmësinë, si dhe pasionin jashtë profesionit, për terapinë e saj përkëdhelëse ‘shopping’….
Mira, cilat kanë qenë sfidat që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj?
Sfida më e madhe ka qenë arritja e balancës midis angazhimeve profesionale dhe kohës së lirë për familjen, veten dhe miqtë. Të punosh pa pushim, me dedikim dhe duke investuar kohë në përgatitje profesionale, ka ndikuar dhe në stilin e jetës. Sot mbaj disa pozicione e tituj profesionalë apo publikë, të cilat krahas kënaqësisë, vijnë me ngarkesë, përgjegjësi dhe stres, dhe kjo kërkon punë me veten që këtë ngarkesë mos ta transmetosh në jetën familjare. Kjo është një sfidë e përditshme.
Çfarë ju ka motivuar dhe ndoshta vijon t’ju motivojë në profesionin që keni zgjedhur?
Rezultatet dhe arritjet janë ato që më kanë motivuar dhe më motivojnë edhe më shumë. Sfidat dhe kapërcimi i tyre gjithashtu më motivojnë. Të punosh në fusha të ndryshme profesionale, dhe të ndikosh pozitivisht në secilën prej tyre, të kesh besimin e bashkëpunëtorëve apo vlerësimin e dëgjuesve, gjithashtu është motivim. Ka plot arsye pse të kesh një karrierë të suksesshme, është motivuese.
Si e balanconi jetën tuaj personale me angazhimet tuaja profesionale?
Organizimi i kohës është opsioni i vetëm. E filloj duke u zgjuar herët në mëngjes, e njësoj veproj edhe në ditët e pushimit, që të marr maksimumin e ditës. Si çdo nënë, pasi përgatis gjithçka për djalin tim, e ndihmoj veten me organizues elektronik të të gjitha formave. Sa shkoj në zyrë bëj ‘To-Do’ listën time, ku kam përfshirë çdo gjë, është një miks i axhendës së ditës, javës dhe objektivave më afatgjatë si profesionale, familjare, personale, etj.. Dita ime përfundon rreth orës 11:00, ku pasditja është për familjen dhe po kështu shfrytëzoj maksimalisht fundjavat për të kaluar kohë me djalin.
Çfarë këshille do t'i jepnit dikujt që sapo ka filluar në fushën tuaj?
Këshilla ime kryesore është të jetë i përkushtuar ndaj mësimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm për të rritur aftësitë. Të mos dorëzohet asnjëherë ndaj sfidave dhe të ndjekë ambiciet, dhe ëndrrat e veta. Gjithashtu, të ndërtojë një rrjet kontaktesh dhe marrëdhënie të mira profesionale, pasi shpesh do të keni nevojë për mbështetjen dhe këshillën e të tjerëve. Dhe se fundmi, edukata dhe mirësjellja të shtrojnë rrugë, që arroganca nuk i shkel dot kurrë.
Të qenit një grua e bukur në profesionin tuaj, si ka ndikuar?
Do të gënjeja nëse do të thosha që njerëzit, në përgjithësi, nuk janë dashamirës ndaj bukurisë, por nuk do t’i atribuoja paraqitjes sime më shumë se 20% rol në arritjet e mia, dhe kjo vlen vetëm për marrëdhënien e punës me televizionin. Në aspekte e angazhime të tjera profesionale, dukja nuk luan asnjë rol përkundrejt përgatitjes.
Patjetër që keni vëmendjen e meshkujve kudo të shkoni; ju bezdis apo e shijoni këtë fakt?
Të jem e sinqertë kontaktet e mia të ditës janë të shumta, gjatë javës janë të shumta, dhe nuk mund as ta konsideroj të paturit vëmendje. Por besoj që me atë që unë përfaqësoj në komunikim, në marrëdhënie me njerëzit, në profesion, kam mirësjelljen e të gjithë personave që takoj, qoftë meshkuj apo femra.
Ju kemi parë që i kushtoni shumë rëndësi dukjes suaj dhe shpesh preferoni të qëndroni larg kostumeve të ftohta dhe autoritare…
Pavarësisht se çfarë përfaqësoj, mendoj që është veçori, jo vetëm e imja, por e çdo femre përpjekja për t’u kujdesur për ‘look-un’ e saj dhe të duket sa më e hijshme. Është një dëshirë shumë legjitime e të gjithave ne, kurdoherë që nuk ka tepri.
Duket se keni gjetur një balancë mes stilit të veshjes që jua dikton profesioni dhe shijes suaj personale?
Mundohem gjithmonë që pa dalë nga etiketa, në çdo lloj veshje apo okazioni, të përfshij pak nga stili im personal. Është e rëndësishme të jesh vetja, madje edhe në një mjedis më formal.
Cili stil veshjeje ju identifikon gjatë orarit të punës?
Preferoj stilin ‘business casual’. Mendoj që më përfaqëson shumë mirë, si dhe është stil që pranon t’i shtosh elementët e t’u në çdo rast.
Po në përditshmëri, jashtë zyrës së punës?
Sipas vendit bëhet kuvendi. Në veshjet jashtë pune, nuk jam e kufizuar nga ngjyrat apo stilet, një ditë mund të jem shumë sportive, tjetrën klasike, apo ‘streetwear’ e ‘casual’, pak a shumë gjithçka sipas momenteve. Por nuk mund ta mohoj, që veshja sportive e ditës së diel është e preferuara ime.
A e quani edhe ju ‘shopping’ një terapi?
Po, për mua, ‘shopping’ është një terapi relaksuese, argëtuese, e cila vjen çdo herë me surpriza. Antistres!
Për çfarë shpenzoni më shumë?
Më shumë shpenzoj për veshjet, pasi dua të mbaj një pamje profesionale. Jeta profesionale ka shumë veshje, të zyrës të përditshme, ato të pritjeve zyrtare, të daljeve publike apo dhe të eventeve. Gjithashtu, investoj në aksesorët shoqërues për të gjitha rastet, nga ato që janë të destinuara për të zgjatur gjithë jetën, si ora, deri tek elementët të cilat i përfshijë në gardërobë, si trendi i momentit.