Pas koncertit “Finalmente” të Elsa Lilës, motra e saj Eni Lila ka folur për revistën “Bordo”, ku ka shprehur emocionet e jashtëzakonshme që përjetoi gjatë këtij projekti kaq të rëndësishëm të njeriut të saj të shtrenjtë.
Teksa shprehu emocionet, Eni tregoi se para koncertit e gjithë familja kishte pak frikë, ndërkohë që vetë Elsa kishte një qetësi të jashtëzakonshme.
“Para daljes gjithë familja kishim emocione dhe pak frikë se si do të shkonte. Ndërsa vetë Elsa kishte një qetësi të jashtëzakonshme. Tipike e një personi që ka një siguri të jashtëzakonshme me atë që di të bëjë më mirë”, tha motra e Elsës për “Bordo”.
E pyetur për momentin më të bukur, ajo tha, “Për mua ishin disa momente, Evita, kënga që hapi koncertin, kënga “Pyes lotin”, takimi me Pirro Çakon dhe kënga që ata kënduan së bashku”.
“Diçka që më pëlqeu shumë ishte se Elsa e ftoi publikun e saj në shtëpinë e saj. Në Pallatin e Kongreseve, në atë skenë ku ajo ka lindur dhe është rritur. Ishte një takim i jashtëzakonshëm sonte në darkë, ku ne ishim të ftuarit e saj dhe kjo ishte ajo që më pëlqeu më shumë”, shtoi Eni më tej.
Ndërkohë në lidhje me projekte të tjera të Elsa Lilës, Eni tha se do të ketë, por do t’ia linte këngëtares të shprehej në momentin e duhur.



















