Le të zhvendosemi pak tek pushimet dimërore. Nëse do ju kërkonim që të përshkruanit pushimet tuaja dimërore perfekte, sigurisht e dimë që do të jenë pak a shumë kështu: në një shtëpi prej druri, pranë një zjarri bubulak, jashtë duke rënë dëborë, pranë partnerit dhe pa dyshim duke parë “Home Alone”. Nuk mund të kalojnë pushimet pa e parë qoftë edhe një herë filmin “Home Alone”, i cili na e sjell edhe më tepër atmosferën e festave.
Mirëpo, teksa ne e shijojmë në maksimum këtë periudhë, për Macaulay Culkin, ose Kevin siç ne e njohim, është më e vështira. I ftuar në Ellen DeGeneres ai është shprehur se gjatë festave, nuk mund të dalë jashtë në rrugë, pasi të gjithë e ndalojnë dhe e ftojnë që t’i shohin filmat e tij së bashku.
“Nuk dal dot nga shtëpia në atë sezon, sepse është periudha e Kevinit. Të gjithë që takoj më thonë që ta shikojmë bashkë. Kjo më gëzon, por dhe më frikëson. Unë përpiqem të dal më pak e më pak për atë kohë të vitit”, tregoi ai.
Fëmijëria e tij, nuk ishte aspak si ajo e bashkëmoshatarëve të tij, për këtë arsye në moshën 14 vjeçare u largua nga Hollywood, për të ndjekur studimet dhe për të rifituar kohën e humbur, duke shpresuar se do mund të bënte një adoleshencë normale.
“Isha i lodhur. Kam bërë 14 filma në gjashtë vjet. Ishin shumë. Isha larg shtëpisë dhe larg shkollës. Kisha nevojë të rritesha dhe të zhvillohesha si njeri. E jetova ëndrrën time dhe mezi prisja të kthehesha në shkollë. Ishte diçka e bukur që në atë moshë të kisha atë popullaritet që unë kishe, por mendoj se gjëja më e mençur që kam bërë ishte që të merrja më pas 8 vite pushim”.



















