Zëdhënësja prej më shumë se 10 vitesh e Sali Berishës, për të cilën daljet publike janë tejet të rralla, është shfaqur këtë të dielë në programin “E Diell” në Top Channel. Në një ‘konferencë për shtyp’ të stimuluar Erla Mehilli i është përgjigjur pyetjeve të moderatorit Edi Manushi, gazetarit Kurti dhe anëtarëve të tjerë të emisionit mbi marrëdhënien e saj me Berishën, bashkëshortin Keltis Kruja, fëmijët dhe politikën; te cilave brunia simpatike u është përgjigjur sa me humor, por duke mos lënë mënjanë edhe shpotitë. Cila është vërejtja që i bën ajo Sali Berishës, çfarë i ka mësuar politika, për çfarë ka nostalogji nga koha kur ka qenë zëdhenëse, pse nuk ka bërë dasmë; këto e shumë pyetje të tjera ish-zëdhënësja e Partisë Demokratike i është përgjigjur pa hezitim…
E mban mend deklaratën e parë për shtyp dhe si je ndjerë pas saj?
Patjetër që e mbaj mend! Hera e parë nuk harrohet kurrë. Nuk isha e përgatitur që mund të dilja nëpër konferenca, sepse pozicionin e kisha këshilltare për mediat, ndaj ftesa më erdhi e papritur. Ishte fushata për zgjedhjet lokale të vitit 2007. Kam patur shumë emocione saqë kur dola nga salla e konferencave hodha sytë tek letra që kisha tekstin dhe mu duk sikur kisha lënë paragrafe pa lexuar. Ndjehesha ne konfuzion total, edhe pse të tjerët më thanë që kishte shkuar mirë.
Shkove ti tek Berisha apo ai të zgjodhi ty?
Ne kryetarët i zgjedhim një herë në katër vjet kur votojmë për ta, kurse gjithë pjesën tjetër e kanë ata iniciativën, domethënë zgjedhja është nga lart poshtë dhe jo e anasjellta. Unë nuk isha njeri i panjohur për të sepse ai kishte miq prindërit e mi, të cilët janë mjekë të dy. Ime motër ka qene tek themeluesit e PD, ndër 30 studentët që shkuan në takimin me Ramiz Alinë. Ajo ka mbajtur procesverbalin e mbledhjes së parë të themelimit të PD.
U zgjodhe zëdhënëse për pamjen, apo për aftësitë?
Unë do të preferoja të ishin të dyja, por nëse do zgjidhja mendoj se janë aftësitë ato që kanë bërë diferencën. Gjithsesi formimi im universitar lidhej drejtpërdrejt me atë detyrë.
Cili ka qenë momenti më i sikletshëm gjatë një konferencë për shtyp?
‘Siç Shihet Qartë’ Ishte një lapsus që e kalova me të qeshur.
Çfarë nuk dimë për Berishën që ai s`e ka bërë kurrë publike nga ritualet e ditës së tij?
Ai pi çdo ditë një gotë verë të kuqe. Nuk e bën për arsye se i pëlqen vera, jo vetëm, por për arsye shëndetësore.
Pse qave kur Berisha dha dorëheqjen nga PD në vitin 2013?
Ai ishte një moment shumë ‘genuin’, nuk kishte shtirje. Ishte dhe një shfryrje tensioni, sapo kishte mbaruar një fushatë elektorale e gjatë, e lodhshme, plus rezultati të cilin nuk e prisja të tillë. Sigurisht kur e kam parë dhe unë që më kishin fiksuar kamerat mendova se do kishte qenë më mirë të kisha dalë jashtë sallës. Por ishte nje moment me emocione. Jam e sigurt që shumë njerëz kanë qarë atë ditë, fati e deshi që kamerat të më fiksonin mua.
Doktori ka pikë të dobët, Argitën apo Shkëlzenin? Po ndikim në politikën e tij?
Sarën më duket (qesh) ‘SuperMbesa’. Ndërsa për çështjen e ndikimit Berisha hyn tek ata politikanë ku familja nuk ka patur rol në vendimmarrjen politike. Ai vetë por dhe familjarët kanë qenë shumë të kujdesshëm që mos ngatërronin raportet dhe marrëdhëniet e veta si familjare me bashkëpunëtorët e tij. Ka qenë shumë i ekuilibruar ky raport.
Doktori të tha: Fejohu me Keltisin?
Nëse Doktori do kishte pasur në dorë gjithë fejesat dhe martesat e bashkëpunëtorëve të tij punët do kishin shkuar shumë më mirë edhe në PD edhe në Shqipëri të jeni të sigurt (Qesh) Jo, por ka qenë shumë i kënaqur për këtë lidhje meqë na njihte të dyve shumë mirë.
Pse s`ke bërë dasmë?
Më duhej një stadium për të futur aq shumë miq që kishim të dyja palët.
Ti e bëre Keltin nga Prefekt në deputet?
Kjo është një pyetje që bëhet se nuk e njohin dhe aq shumë Keltin dhe mendojnë që unë kam qenë më e rëndësishme meqë dilja më shpesh në TV. Jo, Kelti ka që 13 vjeç në PD. Aty e gjeta nuk e kam sjellë unë në politikë. Kështuqë nuk kam asnjë meritë në karrierën e tij
Pse s`të bëri doktori deputete, i kishte të gjithë mundësitë?
Nëse ju mendoni që po mos të jesh deputet është ndonjë hall i madh e keni gabim, ndjehem rehat dhe pa qenë deputetë. Gjithesesi ishte Kelti deputet, dy nga një familje nuk shkon apo jo?
Ti ke pasur “xhelozi” nga gratë e PD-së?
Nuk është dhe aq i ëndërrueshëm pozicioni i zëdhënëses së Sali Berishës ngaqë është i vështirë kështu që të gjitha kanë qenë shumë të lumtura për sa kohë nuk ishin vetë në atë pozicion.
Cila nga zëdhëneset e PD-së pas teje ka qenë më e zonja?
Pse ka pasur zëdhënëse tjetër pas meje PD?! Shakatë mënjanë; sigurisht që secila ka patur veçoritë e veta, atë mund ta gjykoni më mirë ju gazetarët që keni punuar me to dhe publiku.
A ke ndonje vërejtje për Doktorin?
Berisha është shumë aktiv në politikë, e nisur nga kjo mendoj që duhet të ishte edhe shumë më i përfshirë në vendimmarrjen brenda PD. Mendoj që kjo do ishte një garanci e shtuar për të gjithë demokratët, edhe për ata që nuk ndjekin linjën zyrtare të PD, gjë për të cilën me thënë të drejtën gjykoj që ka shumë nevoje PDj-a sot.
Çfarë ndjesie është që të jesh kushërira e Ramës, por të punosh me Berishën?
Të jesh kushërira e Ramës është rastësi. Të punosh me Sali Berishën është meritë. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë që jam kushërira tij sepse s’kam patur njohje personale, po të kisha patur ndoshta do kishte qenë më e sikletshme. Po meqë në librin ‘Kurbani’ ka një pasazh ku ai e përmend këtë gjë, domethënë që ai e ka patur më shumë problem këtë gjë se sa unë (Qesh)
Cili mendon se ka komunikim më të mirë me popullin, Rama apo Berisha?
Ju mund të prisni që unë të them Berisha është shumë më mirë, po unë do përpiqem të jem realiste. Janë stile krejt të ndryshme në llojin e vet, kanë karakterin e vet. Nuk mund të krahasohen dy poltikanë ndryshe fare ne stil. Berisha është politikan me fjalime të gjata, më të ndjera, përfshihet shumë në ato që thotë, kurse Rama është tipiku i politikanit të propagandës. Berisha në komunikim me masa përshembull ka qenë brilant, flas per mitingjet. Rama ka patur shumë të mirë retorikën, fjalimet që përgatiste me stilistikë, me figura letrare; tani i ka lënë merret më shumë me batuta, e ka ulur shumë nivelin e batutave, e ka bërë shumë vulgare.
Ç`të mësoi politika?
Po ka disa momente. Ka momente që më ka mësuar që njeriu duhet të jetë më i përmbajtur, më i përgjegjshëm, më i durueshëm; ka momente që më ka mësuar të jem më pragmatiste, e rëndësishme është që politika mos të ndryshojë themelet e karakterit. Këto vitet e fundit nuk më pëlqen fare sepse duket sikur politika nga të gjitha anët ju kërkon politikanëve të deformojnë shtyllat e karakterit. Përshembull mua më duket sikur sot në politikë duhet të jesh servil, duhet të jesh ‘Yes Man’, nuk duhet të kesh mendimin tënd, duhet të sillesh sipas udhëzimit të shefave; pra këto jane tipet e politikaneve që titullarët promovojnë për funksionet e dyta, apo të treta. Sigurisht ka dhe përjashtime dhe ka njerëz me integritet.
Politika më ka mësuar të njoh më mirë veten dhe të tjerët, sidomos në këto vite opozitë. Këtë analizë asgjë më mirë se sa politika s’ta bën ta realizosh.
A ka politika një date skadence?
Ndoshta pyetja e saktë do të ishte a ka politikani një datë skadence. Njeriu mund të konsumoje gjithë jetën duke u marrë me politikë. S’ka nevojë të jetë kryetar apo ministër për t’u marrë me politikë. Po sigurisht nëse konsumohet shumë në politikë dhe mbi të gjitha nuk arrin objektivat që duhet të arrijë ka një datë skadence. Po kjo nuk ndodh tek ne, për kryetarët tanë dhe për të preferuarit eë. Këtu mund të kalosh nga dështimi në dështim dhe rri aty si më i miri, pa datë skadence.
Për çfarë ke nostalgji, kur punoje zëdhënëse?
Kam nostalgji të shaj zyrtarisht Edi Ramën (qesh)
Në gjithë këto vite pune me doktorin, çfarë ke mësuar prej tij?
Të punosh me Berishën edhe për një kohë të shkurtër mëson shumë, në rastin tim unë mendoj që kam bërë një universitet të dytë kështuqë në rastin tim konsideroni që kam dy shkolla, një që kam bërë vetë dhe një nga Doktori.
Çfarë bën Erla sot?
Bëj të njëjtat gjëra. Për sa kohë Sali Berisha mbetet energjik dhe aktiv në politikë nuk e ndjej diferencën pozitë opozitë, kryetar apo jo, Kryeministër apo jo. Dhe sigurisht bëj dhe mamin e dy çunave të mrekullueshëm.
Kur vjen PD ne pushtet?
Duhet të punojë seriozisht, nuk vihet aq kollaj në pushtet



















