E përditëshmja e njohur izraelite, Jerusalem Post ka vënë në shënjestër këngëtaren shqiptare Dua Lipa, me ankesën se shpërndau në Instagram një postim të regjizorit amerikan Vin Arfuso, i cili fshikullonte veprimet e IDF ( Forcat Izraelite të Mbrojtjes) kundër palestinezëve.
Postimi i referohej gjithashtu vrasjes së George Floyd nga një oficer policie në Minneapolis, dhe përfshinte disa hashtagë të tillë si “HumanRights (Të drejtat e njeriut)” dhe “fighting for justice (duke luftuar për drejtësi)”. Pas kritikave të shumta, postimi u fshi më vonë nga vet këngëtarja me prejardhje shqiptare, shkruan Jerusalem Post.
Në këtë postim thuhej: “Ndërsa të gjithë janë në humor të flasin për të drejtat e njeriut, kjo është ajo që ndodh çdo ditë në Palestinë, paguar nga dollarët e taksapaguesve tanë. Djemtë e mëdhenj të këqij të #IDF kënaqen plotësisht duke rrahur dhe duke qëlluar fëmijë”, vazhdonte shkrimi. “Ata madje kanë bluza që përshkruajnë një grua palestineze shtatzënë me një hapësirë snajperi në stomakun e saj ku shkruhet: një gjuajtje, dy vrasje”. Dua Lipa është njohur me regjisorin Arfuso përmes partnerit të saj Anëar Hadid, vëllai i supermodeleve Gigi dhe Bella Hadid, të cilët gjithashtu kanë bërë komente negative për Izraelin disa herë në të kaluarën. Babai i tyre, milioneri Mohamed Hadid, është me origjinë palestineze.



















