
Agjencia Europiane e Ilaçeve i dha dritë jeshile përdrimit të vaksinës kundër koronavirusit, nga kompania AstraZeneca, duke thënë se ajo është e sigurtë, pavarësisht raportimeve për mpiksje gjaku. Sipas kësaj agjencie, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet, thotë REL. Lajmin për efektin dhe sigurinë e vaksinës, e dha drejtoresha e EMA-s, Emer Cooke, pas një takimi të gjatë në Komisionin për vlerësimin e rrezikut, që funksionon në kuadër të kësaj agjencie. Sipas njoftimit, në takim kanë marrë pjesë edhe ekspertët kombëtarë të vendeve anëtare. Ajo tha se nuk duhet harruar faktin që mijëra njerëz në ditë po vdesin në Europë, si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, dhe se vaksinimi është mënyrë e domosdoshme për të fituar betejën me pandeminë. Shefja e rregullatorit europian, vazhdon REL, shpjegoi se janë analizuar me hollësi rastet e raportuara të trashjes së gjakut te personat e vaksinuar, por nuk janë gjetur dëshmi se ato mund të lidhen me vaksinat. Megjithatë, agjencia shtoi se do të vazhdojë të studiojë lidhjet mes trombozave dhe vaksinës në fjalë. Reagimi I EMA-s vjen në një kohë kur 13 shtete i kanë pezulluar dozat e AstraZeneca, përfshirë Gjermaninë dhe Francën.