Tani ajo është thjesht Inida, jo më ajo vajza e cila ka shfaqur gjithmonë një talent dhe guxim për të provokuar apo ngritur zërin për mendimet dhe idetë e saj. Ndaj sot më shumë sesa kurrë, ajo që dikur ka qenë një nga vajzat më të njohura të ekranit, në një rrëfim të paqtë me veten dhe botën nuk e fsheh aspak pendesën për ata që ka lënduar pa dashje, por edhe duke rrëfyer projektet që do ta kthejnë në Shqipëri së afërmi krah bashkëshortit të saj Christian.
Zhaku, si je? Si është ky moment i jetës tënde?
Jam shumë mirë, faleminderit dhe uroj të njëjtën gjë për ty dhe lexuesit. Ky moment është mbase momenti më i mirë në jetën time. Ndihem shumë e plotësuar dhe e realizuar në shumë drejtime që janë të domosdoshme për të siguruar mirëqënie dhe qetësi shpirtërore. Vazhdimisht e falënderoj Zotin për dhuratat që më ka bërë dhe mundësitë që më ka dhënë. Shpesh herë, kur kujtoj të kaluarën, ndihem si Herkuli pas sprovës së 12, ndonjëherë si Jezusi pas ringjalljes dhe përpiqem që ta ruaj këtë moment të jetës time, duke qenë vazhdimisht mirënjohëse për gjithçka kam dhe duke rikujtuar të gjitha herët kur jam ndjerë si i mbytyri që ka shpëtuar falë një fije kashte.
Je akoma Zhaku apo Inida në këtë fazë?
Qysh kur kam ardhur në Gjermani, kam zbuluar bukurinë e emrit Inida dhe mbi të gjitha të mirat e të qenit Inida, pasi duhet ta pranoj, Zhaku është si një alter ego me të cilën jam zbavitur, por më së shumti kam luftuar dhe të mos qenit më Zhaku mbase ka qenë hapi i parë drejt “shërimit”. Zhaku është një personazh që më ka shkaktuar jo pak zarare, por që më ka krijuar edhe shumë mundësi për të cilat jam mirënjohëse, ama sa më shumë kalon koha aq më pak identifikohem me të. Kam qenë shumë e re kur e nisa karrierën time dhe Zhaku ishte si fillim një pseudonim që ma kishin vënë komshinjtë kur isha e vogel e që nisa ta përdor për të mos më identifikuar njerëzit si vajza e kësaj apo atij. Ishte një vendim i një adoleshenteje që kishte nevojë për një mburojë, por shpesh herë nuk dita ta menaxhoj dhe më dilte Zhaku jashtë kontrollit, duke marrë më qafë atë që unë jam në të vërtetë dhe që shumë pak vetë vërtetë e njohin. Tani, besoj ka ikur koha e Zhakut dhe më duket më shumë si një perde që ka ngecur në sytë e të tjerëve. Për një gjë më vjen keq ama, që ato mundësi që unë i kam patur si Zhaku në media dhe në skenën artistike shqiptare, nuk kam ditur t’i shfrytëzoj si Inida.
Për çfarë të merr malli nga Shqipëria, aty ku ndodhesh në Gjermani?
Më merr malli për familjen, miqtë, për të përditshmen e thjeshtë, por kam edhe një lloj ankthi kur kujtoj jetën time në Shqipëri dhe ndonjëherë më duket sikur do të rikthehem në një gropë thithëse, sa herë mendoj rikthimin në Shqipëri. Gropën thithëse e lidh me shumë momente traumatike që kam përjetuar atje dhe me shumë keqkuptime, apo përpjekje të dështuara që kanë lënë gjurmë të thella në nënvetëdijen time dhe rishfaqen në forma nga më të ndryshmet. Shpesh herë shoh ëndrra sikur shkoj në Shqipëri dhe më duhet të kaloj nëpër gjarpërinj. Në fakt nuk mund të fajësoj të tjerët për këto trauma. Unë iu hodha jetës si një qingj që arratiset drejt të paditurës. Çdo gjë e nisa shumë shpejt dhe e shihja jetën si një përvojë, si një aventurë, pa qenë gjithmonë e vetëdijshme apo e pjekur mjaftueshëm, ndaj dhe i kam shkaktuar vetes plagë që edhe pse janë shëruar, shenjat i kanë të qarta.
Edhe pse larg Shqipërisë, nuk ke munguar në rrjetet sociale, me statuset e tua, pa kurrëfarë censure, ka ndonjë prej tyre për të cilën je penduar?
Në fakt, Facebook-u është lidhja ime me Shqipërinë dhe me ndjekësit e mi që më kanë qëndruar besnikë për kaq shumë kohë, edhe pse larg jetës publike. Padyshim që shpesh herë e kam tepruar dhe kam ofenduar padrejtësisht personazhe publikë në politikë dhe media, të cilëve përfitoj nga kjo intervistë për t’i kërkuar ndjesë. E kam tepruar edhe me fjalorin shpesh herë, por ka qenë shprehje e revoltës që ndjeja si p.sh. kur u shemb Teatri. Kam qenë shumë e lënduar dhe e revoltuar, ose kur arrestoheshin protestuesit, apo kur policia vrau një të pafajshëm dhe përpiqej të mbulonte krimin. E vetmja gjë që kam është faqja e FB, por nuk kisha pse të fyeja asnjë njeri personalisht dhe ndonjëherë e kam bërë. Unë kam edhe armë të tjera për tu shprehur dhe argumentet nuk më mungojnë, sikurse edhe aftësia për të bërë satirë përmes fjalës apo krijimtarisë, ndaj dhe kërkoj ndjesë, pasi ndonjëherë kam bullizuar dhe ofenduar, pa e menduar gjatë se mund të lëndoj.
Kur je një figurë publike, sikurse ti, – je edhe një zë për shumë të tjerë. Ti je ndjerë më shumë e përkrahur apo e sulmuar?
Në fakt, vazhdimisht marr mesazhe përkrahjeje dhe ndjekësit e mi janë shumë besnikë. Marrëdhënia që kam krijuar me ta është e hapur dhe bukur, ndaj dhe vazhdoj ta përdor FB si forum ku të jetë e mundur për të gjithë të kenë një zë dhe një mendim të lirë. Problemi është që ndjej një lloj distancimi nga miqtë e mi të vërtetë me të cilët mund të jem rritur apo kam kaluar një pjesë të madhe të kohës dhe besoj se ka ndikuar edhe mënyra se si jam shprehur ndonjëherë dhe për këtë ndjej keqardhje, pasi nuk është asnjë deklaratë në FB aq e rëndësishme sa njerëzit që i dua dhe më kanë mbështetur gjatë jetës time në Shqipëri. E sulmuar jam ndjerë gjithashtu, por kryesisht më parë, kur jetoja në Shqipëri. Mënyra se si mund të jem etiketuar apo komentuar, pa dyshim që më ka vrarë, por koha tregoi se Zoti ma dha forcën dhe rrugëdaljen dhe unë e shoh sot të kaluarën më shumë si një film tragjikomik, prej të cilit kam nxjerrë shumë mësime.
Martesa jote ka qenë pjesë e lajmeve rozë në vend. Çfarë statusi ka aktualisht Zhaku?
Martesa me Christian ka qenë gjëja më e bukur në jetë, edhe pse kemi patur ndonjë krizë, ajo gjithmonë ka qenë e paqtë, ama, lidhja jonë tani është më e fortë dhe më e bukur se kurrë. Herë na mungon një fëmi, herë jo. Falë një problemi timin shëndetësor, kjo nuk është dhe aq e lehtë, ama ne nuk e dramatizojmë këtë situatë por kujdesemi për njëri – tjetrin me shumë dashuri. Nuk kam dashur ta ndërroj nënshtetësinë, pasi nuk ka qenë asnjëherë e domosdoshme për mua. Punojmë bashkë, kemi një biznes në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe kemi 60 bimë e lule, përveçse mbi 50 këngë që i kemi krijuar bashkë. Christian gatuan shumë mirë dhe me shumë dëshirë dhe për mua kjo është dhuratë nga Zoti se nuk para e kam shumë qejf gatimin, por kam qejf të ushqehem shumë mirë. Gjatë vitit që jetuam të ndarë, patëm mundësinë të reflektonim dhe analizonim marrëdhënien tonë dhe ndarja e ka bërë marrëdhënien tonë fantastike.
Të mungon ekrani? Po jeta si një personazh i njohur?
Më mungojnë mundësitë dhe hapësira që kam patur në media, pasi besoj se i kam patur në kohën e gabuar dhe shpesh herë kur kujtoj se sa shumë mundësi më janë ofruar dhe nuk kam ditur t’i shfrytëzoj apo nuk i kam marrë aq seriozisht sa duhej, ndihem pak keq. Megjithatë, unë jam zhvilluar në drejtime të tjera dhe kam patur suksese apo arritje personale dhe profesionale, të cilat edhe pse nuk janë të njohura, janë për mua suksese dhe burim krenarie. Jeta si një personazh i njohur nuk më mungon, pasi në Shqipëri kam vënë re se nuk jam harruar plotësisht, por kjo nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme për mua edhe pse mund të jem shfaqur padashje si një ekzibicioniste, për mua ka qenë e rëndësishme të bëja dhe lija vepra që të mund të flisnin për mua. Në Gjermani e shijoj jetën në anonimitet dhe jam shumë e lumtur që e kam këtë mundësi, por më vjen keq që nuk kam ditur ta menaxhoj famën e dikurshme apo imazhin tim publik.
Cili është një vendim që ke marrë për të cilin je penduar?
Vendimi më i gabuar ka qenë pjesëmarrja në Vip Shpia. Ka qenë dhe mbetet përvoja më e hidhur e jetës time. Familja, Christian, miqtë, të gjithë më thanë të mos shkoja dhe në fakt nuk kisha asnjë arsye apo nevojë për të marrë pjesë, por kisha një kuriozitet që s´më linte të qetë. Ai vendim, më shkatërroi çdo gjë që kisha ndërtuar dhe mbi të gjitha më vuri në pozita tmerrësisht të vështira dhe poshtëruese, të cilat më kanë bërë të vuaj shumë. Pjesëmarrja ime aty ishte fillimi i fundit dhe edhe pse unë provova ta shpreh atë që ka ndodhur në librin që botova, asgjë nga ajo që kam përjetuar nuk është shprehur siç duhej. Por si çdo e keqe edhe ajo përvojë pati të mirën e vet, pasi krijova këngën “Censura”. Mbase ndonjë ditë do jem në gjëndje të flas tamam hapur për çfarë ka ndodhur, por nuk ka më rëndësi, përderisa sot jam mirë dhe ndihem e fituar.
E sheh Shqipërinë si një vend i mundësive të reja? Çfarë planesh ke për veten tënde tani?
Përpiqem që ta shoh Shqipërinë si një vend ku ende mund të realizoj diçka me vlerë, por e shoh se ka kaluar shumë kohë. Mundësitë nuk janë më të dikurshmet, media dhe unë kemi ecur në drejtime të ndryshme. Përpiqem herë pas here të propozoj ide për programe si autore, por nuk kam marrë deri tani asnjë përgjigje pozitive edhe pse e shoh dhe e ndjej dashamirësinë e një pjese të atyre që kanë diçka në dorë. Do vij me Christian në Shqipëri për të bërë disa video me Max Production, pasi kemi bërë shumë këngë të reja. Do xhirojmë në burgun e Spaçit, këngë si “Propaganda”, “Censura”, etj., për të rikujtuar vuajtjet e të dënuarve të regjimit diktatorial. Kur të jem në Shqipëri do shoh edhe mundësinë për të bërë një ankand gala, për të kujtuar personalitete të artit shqiptar dhe për të mbledhur disa fonde për të mbështetur studentë në vështirësi ekonomike, por jam pak skeptike, pasi e ndjej se mbase ngaqë kam folur për shumë projekte, mund të kem humbur pak besueshmërinë. Megjithatë, deri tani është pritur mirë si ide dhe unë po punoj që në Shtator ta bëjmë një event, ama në qershor do vijmë për videot në burgun e Spaçit dhe mezi po pres, pasi me Bledin dhe Max Production, kam patur dhe kam raporte fantastike dhe puna me ta ka qenë gjithmonë një kënaqësi. Kam 3 vjet që nuk kam ardhur dhe jam e emocionuar. Kam pak frikë se si do shkojnë gjërat, kam mall, kam shumë ndjenja të përziera por në Shqipëri, kam njerëzit më të dashur pas Christian dhe natyrisht që do mbushem me dashuri. Fatmirësisht, jeta ime nuk varet më nga punët në Shqipëri dhe përpjekjet e mia për të bërë diçka aty, janë më shumë për të ndihmuar të tjerët, për të bërë diçka me vlerë dhe për të ruajtur lidhjet me vendin dhe njerëzit e dashur. Uroj që të mund ta bëj ankandin, pasi kam vënë re se në Shqipëri nuk e njohin ankandin apo se sa i bukur është dhe ankand quhet kur diçka nxirret në shitje, por në fakt ankandi mund të jetë shumë spektakolar dhe unë dëshiroj të krijoj një event shumë të veçantë ku të konkurrohet për ta blerë diçka me vlerë historike dhe artistike, me qëllim edhe mbështetjen financiare të studentëve në nevojë.



















