Në makinën e copëtuar nga përplasja e fuqishme që bëri të shuhej një familje e tërër në 25 qershor në aksin Fier-Vlorë, u gjet ditari i pjesëtares më të vogël të saj, Anastasias 9 vjecare. Kushërira e vajzës, të cilën të gjithë e thërrisnin “Ana”, lexoi mes lotësh një pjesë të tij, duke bërë që edhe gjyshja e tezja e vogëlushes të shpërthenin në ngashërima.
“Sapo filloi behari do të shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do të takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua kur të vete në Shqipëri, të dalë dhe të blej shumë gjera. Dua të vete në shumë vende që nuk kam vajtur dhe të blejë shumë gjëra. Po nuk vajtëm, s`e di. Babi do na blejë shumë gjëra, një tabletë të dyjave. Bëj shaka. Dua të vete, por dua dhe të marr tabletin se dua të bëj mësimet. Sot vajtëm nga parku dhe lozëm. U kënaqëm. Por jam e mërzitur dhe nuk e di pse. Babi do iki në punë”, thuhet në një pjesë të rrëfimit në ditarin e Anastasias. Më tej vajza shkruan: ‘Junakuk, kanë mbetur edhe 15 ditë për të vajtur në Shqipëri, jam shumë e lumtur të vemi në Shqipëri. Atje do kënaqemi. Do jem e lumtur. Jam e lumtur. Ti ke thënë që të jem e lumtur. ‘Junakuk’ dua të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj se do ta nxjerr më shumë. Të jap llafin….”, vazhdon rrëfimi i 9 vjecares.