Ngjarja në Velipojë ishte tronditja e radhës për Shqipërinë, ku 4 persona humbën jetën dhe u plagosën dy të tjerë si pasojë e një konflikti për hapësirën e rërës. Myzerim Zeneli është 20-vjeçari më i pafajshëm i kësaj ngjarje të rëndë, i cili kishte shkuar për të punuar dhe për fatin e tij të keq dita e parë të punës, iu kthye në ditën e fundit të jetës.
Ngjarja është vërtetë e rëndë, ndaj reagimi për 20-vjeçarin ishte i menjëhershëm nga mbarë opinioni. Gazetari Blendi Fevziu i dedikoi atij disa rreshta rrëqethëse që mbartin në vetvete ca të vërteta shumë të hidhura të realitetit ku ne jetojmë.
‘Myzerim Zeneli duhet të ketë qenë i gëzuar dje, në ditën e tij të parë të punës. Punës që i siguronte jetesën për vete dhe një ndihmë për nënën në gjendje tejet të vështirë. E gëzuar duhet të ketë qenë edhe nëna e tij, që e rriti jetim dhe që besoi se tashme djali do t’i dilte krah. Asnjë nga të dy s’mund ta dinte që kjo do të ishte jo vetëm dita e fundit e punës, por edhe e jetës e tij. Jetës kaq të re dhe fare të pafajshme. Ai nuk çoi dot as rrogën e parë në shtëpi, ndërsa në xhep ju gjetën vetëm 30 lekë. Nuk ndihmoi dot as nënën që sot po kërkon nëpër të afërm dhe komshinj lekët e arkivolit me të cilin do të çojë të birin në varr. Do ta çojë me pishmanin e çdo prindi që nuk i siguroi dot djalit thuajse asgjë në jetë.
Myzerim Zenelin se thërriste askush në emër, thoshte sot një lajm. I thërrisnin “Jetimi”, sipas një mendësie neveritëse të shoqërisë shqiptare. Por sot, me siguri, kushdo që e ka lexuar emrin e tij, do ta ketë shumë të vështirë ta harrojë.
Myzerimi ishte një nga mijëra e mijëra të rinjtë e Shqipërisë që aspironte një jetë normale. Ishte një prej atyre që punojnë nga mëngjesi në darkë, që sakrifikojnë, që japin gjithçka dhe paguhen aq pak. Ishte një prej të rinjve që me punën e tyre mbajnë mbi supe këtë vend. Që vuajnë padrejtësi dhe që s’dinë ku t’i denoncojnë ato.
Myzerimi pati vetëm një “mëkat” në jetë. Besoi, se do çante në jetë me punë të ndershme dhe me përkushtim. Nuk u bë as trafikant; nuk futi një revole në brez të bëhej vrasës me pagesë; as kërcënoi njeri, as grabiti kënd. Thjesht punoi. Ose tentoi të punojë sepse jetën ja morën që ditën e parë të punës së tij”, ka shkruar ai.



















