Arbana Osmanin sot më shumë e njohin nga televizori, por moderatorja e njohur fillesat e saj i ka pasur në radio. Rrugëtimi i vet nisi 22 vjet më parë në “Top Albania Radio” me një audicion në 3 korrik 1999.
Arbana është rikthyer sërish në “shtëpinë e vet të vjetër”, duke vizituar ambjentet e radios që lansoi karrierën e saj, dhe ku është shfaqur e përlotur. Ajo madje sugjeroi që radio të jetë në guidat e qytetit për çdo turist dhe të ri që vjen në kryeqytet, për ta vizituar dhe parë nga afër historinë shumë vjeçare të saj. “Top Albania Radio” është një ndër radiot kryesore në Shqipëri. Ajo i nisi zyrtarisht transmetimet më 14 shkurt 1998, në frekuencën 100 mgh/fm, dhe brenda një kohe të shkurtër arriti të kryesonte tregun radiofonik në shifrat e audiencës. “Top Albania Radio” ishte media e parë e themeluar nga Dritan Hoxha, dhe shpejt u kthye në një “trampolinë” për karrierat e mjaft personazheve të njohur.



















