Nga Nada Biraçi
Fotografia: Erion Beshiri
E lindur dhe e rritur në Rusi, Anna as që kishte dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë. Një përrallë dashurie me një djalë nga Shqipëria, me siguri për bionden e hijshme ruse nuk qe shfaqur as në ëndrrat e saj më të çuditshme…deri kur një udhëtim turistik në një ishull grek do të kthehej në udhëtimin që vulosi fatin e asokohe 19 vjeçares Anna Laska.
Një ftesë për një kokteil nga një djalë i panjohur do të qe zanafilla e njohjes së Annës me atë që sot është bashkëshorti i saj. Mandej pas rikthimit në Rusi për Anën dukej se zemra kishte mbetur atje, në atë ishull të vogël të Greqisë ku një shqiptar kishte ndezur shpejt e pa kuptuar ndjenjën e bukur nga ku lindi përralla e dashurisë mes një ruseje e një shqiptari.
Historia e dashurisë që sapo kishte lindur mes dy të rinjve do të jetohej mes telefonatash, mesazhesh, udhëtimesh të njëpasnjëshme për të takuar njëri-tjetrin, derisa në një moment duhej marrë vendimi për të nisur udhëtimin e bukur të jetës sëbashku…Gjatë rrëfimit të saj për Bordo, biondja me sy të kaltër pranon se vendimi për të lënë familjen, vendlindjen, miqtë e kujtimet për të ndjekur gjysmën e saj në Shqipëri nuk ka qenë aspak i lehtë, madje shpeshherë në muajt e parë të qëndrimit në një vend fare të panjohur Anna nuk e mohon se e ka vënë në dyshim vendimin për t’u shpërngulur këtu.
“Viti i parë ishte shumë i vështirë, pasi nuk kisha miq, nuk dija shqip, doja të kthehesha shumë herë në shtëpi, por pa burrin tim nuk doja të largohesha, dhe burri im nuk mund të largohej me mua sepse ai ka një biznes këtu. Ndodhi kështu që nuk u largova dhe tani nuk pendohem. Ky është vendimi më i mirë që kam marrë në jetën time.”; tregon mendueshëm ajo teksa udhëton pas 7 vite më parë….
Sot ajo nuk ndihet më e huaj pasi është integruar plotësisht në Tiranë, ka biznesin e saj, flet dhe kupton mirë shqip, dhe përpos mallit që e kaplon herë pas here për vendlindjen e familjen e saj, një jetë jashtë Shqipërisë ajo as që e çon më ndër mend.
Anna e sheh këtë vend si idealin për të jetuar, e ardhmja e djalit të saj nuk do të jetë askund përveçse në Shqipëri.
Anna ja do fort Shqipërisë njerëzit që nuk e bënë asnjëherë të ndihet keq për faktin se është e huaj; klimën e ngrohtë; miqësitë e reja; ushqimin e shijshëm…
“Për mua, Shqipëria është një vend mahnitës, deti, malet, klima, kuzhina tradicionale. Për shtatë vitet që kam jetuar këtu, Shqipëria është bërë shumë e dashur për mua. Në Rusi, as që mund të ëndërroja një gjë të tillë”; përfundon tregimin e saj Anna, për të cilën ai kokteil që pranoi 10 vite më parë nga djaloshi nga Shqipëria duket se është vendimi më i mirë që ka marrë ndonjëherë…
“Shtëpia është aty ku është zemra”; ka thënë filozofi romak Gainus Plinius, shprehje që merr kuptim më së miri për rusen Anna që tashmë ka shtëpi Shqipërinë…



















