Aktorja e njohur italiane Monica Vitti ka festuar 90-vjetorin e lindjes. Ajo është një divë e vërtetë, e cila as në vitet e saj të arta nuk e ka shfaqur veten kurrë si një ‘yll’.
Fytyra e saj e bukur, simbol i një feminiteti shumë modern, është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e kinemasë italiane dhe ndërkombëtare, por edhe me të ardhmen e shumë aktoreve që vazhdojnë ta shohin atë si një burim të pashtershëm frymëzimi.
Në mbi 50 filma, të realizuar gjatë karrierës së saj 35-vjeçare, ajo ishte një interpretuese e shkëlqyer, komike dhe dramatike.
Ka punuar në krah aktorë si, Marcello Mastroianni, Alberto Sordi, Ugo Tognazzi dhe Giancarlo Giannini. Festimet për ditëlindjen e saj do të zgjasin një muaj, me takime, biseda dhe shfaqje në shumë qytete italiane, ndërsa shumë platforma digjitale do t’i kushtojnë hapësirë të bollshme filmave të saj të paharrueshëm.
Tanimë larg vëmendjes prej 20 vitesh për shkak të një sëmundjeje neurodegjenerative, aktorja jeton me bashkëshortin e saj, regjisorin Roberto Russo. Ndërkohë ne do të vazhdojmë ta duam, ashtu si regjisorët më të mëdhenj e donin atë, për shkathtësinë, buzëqeshjen dhe zërin e saj të ngjirur dhe joshës.



















