
Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit kanë zbuluar një gen që dyfishon rrezikun e problemeve te mëdha në mushkëri dhe vdekjes nga koronavirusi.Sipas tyre, 60% e njerëzve me prejardhje nga Azia Jugore dhe 15% e njerëzve me prejardhje europiane kanë versionin me rrezikshmëri të lartë të genit.
Vaksinat janë kyçe dhe ndihmojnë në reduktimin e ndjeshëm të këtyre rreziqeve, thanë studiuesit. Studimi u publikua në revistën shkencore Nature Genetics.
Duke u bazuar në punën e mëparshme gjenetike, studiuesit përdorën një kombinim të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re molekulare, për të identifikuar gjenin e saktë – të quajtur LZTFL1 – i cili është përgjegjës për rreziqet në rritje. Studiuesi kryesor, profesori James Davies, tha se zbulimi se geni i rrezikshëm nuk i prek të gjitha popullatat në mënyrë të barabartë, është shumë i rëndësishëm.
Sipas tij, një përzierje komplekse faktorësh – përfshirë moshën në veçanti – kontribuon në rrezikun individual të secilit person. “Edhe pse ne nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën tonë, rezultatet tona tregojnë se njerëzit me genin me rrezik më të lartë, ka të ngjarë të përfitojnë nga vaksinimi”, tha Davies.



















