Evis Cerga
Shënime për një qytet
Duke u kthyer në kujtimet e fëmijërisë, e jo vetëm, teksa takon njerëz të njohur e të rastësishëm, Evisi sjell një ditar emocionues me shënime për kryeqytetin, duke mbledhur grimca drita nëpër në indet e trurit ato ngjizen në një rrëfim të sinqertë që përshkruan ADN-në e Tiranës.
Si është të përshkruash qytetin tënd? Cfarë ju emocionoi për “Shënime për një qytet”?
Qytetin duhet, së pari, ta duash, që më pas ta përshkruash. Vetëkuptohet që jo të gjithë ata që e duan qytetin e tyre shkruajnë për të. Të përshkruash qytetin duhet të ecësh shumë. Duhet të takosh njerëz, të cilët do të bëhen më pas dashur pa dashur personazhe. Skicat e dhe tregimet e mia janë plot me personazhe tejet të zakonshëm, por që i japin tonet dhe ngjyrat qytetit. Të përshkruash qytetin duhet ta njohësh mirë atë. Të jesh në gjendje të dallosh çfarë vlen të hidhet në letër dhe t’u kalohet përmes faqeve të librit lexuesve të cilët janë “tkurrur”, jo vetëm për shkak të lëvizjes së jetës dhe punës, por edhe si pasojë e mungesës së cilësisë së letërsisë. Qyteti është një lloj “ADN”-je. Qyteti rrjedh në dejet e gjithësecilit prej nesh. Me ndryshimet, shëmtimet, zbukurimet, rrugët, rrugicat e tij. Ajo që më ngacmon përgjithësisht, kur shkruaj, janë njerëzit, të cilët kthehen në epiqendër të çdo tregimi, me veçantitë e tyre, shpesh në trajta humoristike apo groteske.
Çdo vendndodhje ka histori e personazhe, si u krijua kjo lidhje kaq organike?
Brenda meje krijohen personazhet që lidhen me historinë e qytetit, si një dëshirë e fortë për të mos lënë asgjë në harresë. Siç hapim celularin dhe shohim fotot në “galerinë e fotografive”, për të kujtuar ato që kemi kaluar, për t’i bërë thirrje kujtesës dhe për të mos “flakur” asgjë. Përkundrazi, mendoj se u takon qytetarëve të mirëfilltë të mbledhin, si amvisa të mira, çdo element që “rrëshqet” apo transformohet, me dashje apo pa dashje. Personazhet iu flasin të gjithëve. Ju kujtojnë një të njohur, një shok, një shoqe, një koleg pune, një njeri të dashur, një njeri të pështirë, një njeri me humor. Brenda librit mund të lexoni histori të rrëfyera nga goja e Bujar Kapexhiut në reportazhin “Asnjëherë mat”, si tjetërsim humoristik i personalitetit të tij. Historinë e Cacit, floktares më të famshme të Floktores të Tiranës së re. Historinë ndryshe të Gaqo Bushakës, jo si shkrimtar për fëmijë, por si njeri, si individ e plot e plot rrëfime të shkurtra, dhe mendoj argëtuese.
Ju sillni përmes kujtimesh detaje që brezi i ri as nuk i percepton dot, cilat do të veçonit?
Brezi i ri, prandaj quhet i tillë që të jetë i ri dhe i hapur ndaj perceptimeve që nuk lidhen me gjëra apo fenomene që i ka përjetuar. Prandaj është historia, letërsia, muzika, piktura, filmi etj. Kur lexonim për Skënderbeun, për bejlerët, për agallarët, për komunistët, për fashistët e nazistët, asgjë nuk kishim përjetuar, por qëndronim në klasa dhe dëgjonim ato që shkruheshin nëpër libra shkollorë, historikë dhe letërsi. Pa dashur të hyj në detajet e të tjerëve, unë sjell detajet e mia, personale, dhe jo për kohën e largët, por edhe për atë të afërt të cilën brezi i ri po e jeton. Në libër, lexuesi gjen jo vetëm të kaluarën para viteve 90-të, por edhe të kaluarën që i referohet viteve të skemave piramidale, të revoltave, të protestave, të ndryshimeve. Do të veçoja detajet që lidhen me dashurinë në kohën e komunizmit, personalisht do ta quaja “kohën time”.
Në antropologjinë e Tiranës ka vende që sot janë zhdukur, a ju vjen keq që nuk bartin ende vlerat e dikurshme?
Zhduken vendet. Kjo është jeta. Vendet shpesh i zhdukin njerëzit. Më vjen keq, sigurisht, që zhduken, por e pranoj “zhdukjen” si pjesë të faktit që qytetet nuk janë në dorë të secilit prej nesh. Sikundërse mendoj që secili prej nesh e ka në “dorë“ qytetin. Më vjen shumë keq që nuk është më Shatërvani përpara Institutit të Lartë të Arteve, madje edhe emri i këtij të fundit sot ka evoluar. Më vjen keq që sheshi “Skënderbej” nuk është sheshi im. Më vjen keq që është prishur kafeneja te “Pallati i Kulturës”. Pista e vallëzimit te liqenit dhe pastiçeria i kanë kaluar kishës, siç ishte dikur, Shën Prokopi. Rezervuarit te liqeni, sot i referohen me “Liqeni i thatë“. Askush nuk flet për “Gjirin e Kurvave”, vendin me “erotik” të qytetit. Pjesa e kopshtit zoologjik dhe atij botanik është tkurrur si në florë dhe në faunë. Stacioni i trenit sigurisht që nuk është më, dhe as shinat apo trenat ku u luajtën sa e sa filma, përfshirë edhe “Treni niset në shtatë pa pesë“. Tirana nuk është më qyteti ku Kapedani gjente adresën në Zyrën e Adresave, dhe “Shënime për një qytet” nuk është një libër vetëm për Tiranën, apo vetëm për qytetin, është një libër emocionesh, vëzhgimesh, dashurie.
Të hysh në ADN-në e qytetit, duhet të njohësh kulturën, arkitekturën, njerëzit, janë të gjitha ndjesi personale, apo edhe të përzgjedhura nga miqtë tuaj?
ADN-ja është gjenezë, është histori. Për të shkruar librin, më ka shërbyer çdo lëvizje në qytet, çdo ndryshim, çdo individ, çdo rrugë që më ka shoqëruar në jetën time. Unë jam një person emotiv dhe kjo ndjehet edhe në mënyrën sesi shkruaj. Brenda meje ka gjithmonë njëfarë nguti, gati-gati nxitim, për të sjellë pranë të tjerëve emocionet e mia, përmes personazheve të trilluar nga gjysëm e vërteta apo nga hici. Në tregimet e mia nuk marr përsipër aspak të tregoj historinë e Tiranës, në kuptimin empirik të termit, por sjell një buqetë skicash, si dikur shfaqjet variete, me pak nga të gjitha.
Cilat janë kujtimet më të bukura të fëmijërisë që ju lidhin me qytetin tuaj?
Liqeni artificial i Tiranës, plot fotografi bardhë e zi. Librat e Gaqo Bushakës, që është edhe arsyeja që është pjesë e librit. Lagjia ime e Tiranës së Re, pa sheshin “Wilson”. Të gjithë fqinjët. Rruga Miqësia, më pas rruga Avdyl Frashëri. Dyqani i Akullores, apo “Lumja”, e zhdukur nga koha dhe ndërtimet. Klubi i Pleqve, që vetëm me pleqtë nuk kishte të bënte, sepse aty organizoheshin dasma, diku kundruall shkollës “Petro Nini”. Atje përmes xhamave shikonim si vallëzonin njerëzit në një hapërsirë të vogël, që bëhej edhe më e vogël nga të ftuarit. Këndi i lojrave, përballë Ambulancës së lagjes 8, sot është bërë pjesë e pallateve. Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me shumë njerëz, dhe energjia e tyre më shoqëron në çdo hap.



















