Nga: Olsi Kolami
Përmes një udhëtimi në kampet e refugjatëve të ardhur në Shqipëri, fotografi ka arritur të sjellë emocione të parrëfyera ku godasin shprehi të portreteve të fëmijëve që reflektojnë shpresë…
Portrete vocërrakësh që vijnë nga lufta dhe skamja, me një shikim të thellë, brenda të cilit fotografi Renuar Locaj ka arritur të sjellë një tjetër dimension, atë të ëndrrave që ata bartin nga vendet e origjinës. Ekspozita me titull “Ëndrrat që mbartim” sjell histori të dhimbshme, e njëkohësisht shumë frymëzuese, teksa sheh dy gishta të ngritur lart të një fëmije, e një buzëqeshje të madhe mbushur plot me lumturi. Ndoshta për faktin sepse fëmijët janë ata që nuk fshehin asgjë, fotografi ka arritur të rrëmbejë nga portretet e tyre gjithë emocionin, shprehi dhe ëndrra që teksa përvidhen përmes fotografisë, i bën ato të duken edhe më reale.
Një ekspozitë me portrete të fuqishëm, sy fëmijësh që kërkojnë shpresë, çfarë fshihet pas këtyre fotove për ju?
Fotografitë e kësaj ekspozitë janë reflektim rreth jetës, individit dhe shoqërisë. Mesazhet janë sjellë kryesisht nëpërmjet portreteve pasi fytyra njerëzore flet për njerëzit, për jetën. Sytë e tyre nuk gënjejnë, janë porta e së vërtetës. Në këtë ekspozitë mbizotërojnë fëmijët, sepse mendoj se ata janë viktima e vërtetë e këtij fenomeni. Ata nuk mund të zgjedhin vendin ku lindin, ku të jetojnë apo kushtet që i rrethojnë. Fëmijët në të gjithë botën ndajnë të njëjtën dëshirë të përbashkët: ata duan të luajnë dhe të jenë të lumtur pavarësisht se ku janë apo se nga janë. Fotografia është një nga format e komunikimit më e fortë në botë dhe shpresoj që këto foto të jenë urë komunikimi midis refugjatëve dhe vëshguesit.
Fotografia dokumentuese është një zhanër i vështirë, duhet të dokumentosh nëpërmjet fotografisë mesazhet e tyre, sa e vështirë ka qënë për ju?
Migrimi është pjesë e zhvillimit të historisë njerëzore dhe në thelb ka qenë dhe mbetet shprehja e dëshirës dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, për një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij. Që të fotografosh në këtë zhanër, ti duhet të njihesh me ta, të jetosh me ta dhe të përfshihesh në historitë e tyre. Unë qëndroja me ta dhe ne bashkë besonim se këto foto janë për një qëllim të mirë. Nuk mund të fshihej brenga e tyre për atë që kishin lënë pas dhe pasiguria për atë që i priste.
Sa keni qenë i perfshirë dhe cili ka qenë personazhi që ju ka prekur, ju ka frymëzuar më shumë me historinë dhe ju ka emocionuar?
Historitë njerëzore të çdonjërit që takova, ishin sa të trishta aq edhe frymëzuese. Kjo nuk ka qenë një punë si gjithë të tjerat për mua. Ky rrugëtim ka lënë shumë gjurmë jo vetëm tek Renuari si fotograf, por mbi të gjitha tek unë si njeri. Kam pasur fatin të takoj njerëz të mrekullueshëm pasi ata janë ashtu si ne të gjithë, me shpresa dhe ambicie për jetën dhe nuk mund të veçoj asnjë. Megjithëse nuk flisnim një gjuhë të përbashkët arrinim të kuptoheshim. Ata përcillnin mesazhe nëpërmjet vështrimeve të tyre, veprimeve dhe ndonjëherë edhe heshtjes. Mund të zbuloje shumë emocione të miksuara në një fytyrë. Buzëqeshnin kur shikonin kameran, por në sy ju lexohej zemërimi, frika, pasiguria dhe lodhja.
Në historitë reale që ishin në ekspozitë, si u takuat me personazhet e fotove tuaja?
Personazhet në foto i kam takuar gjatë qëndrimit të tyre në kampet e refugjatëve që ndodhen në kufijtë përreth Shqipërisë. Këta refugjatë janë nga Lindja e mesme si: Siria, Iraku, Afganistani, Sudani, etj, të cilët udhëtojnë për një jetë të sigurt. Kjo ekspozitë është iniciuar nga Caritas Albania në bashkëpunim me UNHCR Albania, Caritas Austria dhe Caritas Italia.
Ju dhe Bordo jeni miq të mirë, nga një fotograf fashion, shfaqeni në një profil kryekëput ndryshe, mos është kjo një shkëputje drejt një zhanri tjetër?
Në karrierën time kam fotografuar në disa zhanre, ku subjekti është njeriu dhe portreti. Pavarësisht nëse është fotografi e bukurisë, asaj të modës, dokumentuese apo zhanre të tjerë ku subjekt është njëriu, ajo që unë fotografoj më së shumti, është energjia e brendshme e gjithësecilit prej tyre. Fotografia ime është një kombinim i backgroundit tim profesional dhe subjektit në foto. Përsa kohë që do të fotografoj njerëz, unë patjetër që do të realizoj dhe fotografinë e bukurisë, të modës apo të personazheve publikë.
A keni në plan projekte të ngjashme në të ardhmen dhe cilat janë ato?
Njëkohësisht, jam duke punuar për projekte të tjera, të cilat kanë nevojë për kohën dhe momentin e duhur për t’u shfaqur. Do të jem gjithnjë në kërkim të subjekteve që më intrigojnë dhe në sfidë me veten time, duke sjellë kështu më të mirën e mundshme.



















