
Nga Ilda Lumani
Sot gjithë rrjeti flet për koncertin e Elvanës, që u shfaq dje në mbrëmje në “Air Albania Stadium”. Absolutisht një nga ngjarjet më të bukura të jetës së kryeqytetit. Personalisht shumë e lumtur për suksesin e Elvanës, të cilën e kujtoj që në fillesat e saj dhe së cilës ia kam ndjekur karrierën hap pas hapi.
Kujtoj takimin me të te Vila Gold, kur Elvana sapo kishte bërë këngën e saj të parë. Kisha ndjekur prezantimin e saj te Çani, – promotori i shumë talenteve të reja, e mandej unë i bëra intervistën e parë në Bluetooth-in e famshëm të saj kohe.
Ndër vite pas kam realizuar disa intervista, në një periudhë kohe madje, gati pas çdo kënge që Elvana nxirrte, sepse çdo këngë e saj ishte lajm, sukses, dhe hit i padiskutueshëm.
E dje në mbrëmje, u verifikua bindshëm se ato Hite vijojnë të jenë tharmi i repertorit të saj.
Koncerti nisi me “Kudo që jam”, një super këngë e para 12 viteve gati më parë, vijoi me këngë të reja, të vjetra, bashkëpunime me artistët më të mirë të skenës Mc Kresha, Capital T, Ledri Vula, pati momentet e mrekullueshme të duetit me motrën e saj soprano, Migena, me një tjetër duo fantastike me Dhurata Dorën (një super artiste gjithashtu), bashkëpunimet e saj me Ylli Limanin apo Noizyn.
Megjithatë suksesin dhe adrenalinën që Elvana ka në këngët e saj nuk krahasohen me asnjë duo. E veçanërisht këngët e repertorit të saj krijuar nga Flor Mumajesi, të cilat ishin edhe baza më e fortë e koncertit; Mamani nejen, Mamës, Me ty (fituese e Top Fest), Love Me, Kuq e Zi, me të cilën edhe u mbyll koncerti.
Ndoshta jam pak edhe subjektive, sepse ndër vite edhe kur një shoqja ime artiste, më tha që Elvana duhet të punojë edhe me kompozitorë të tjerë (kohë kur punonte vetëm me Florin), unë gjithmonë mendoj se ata të dy në art janë “Perfect DUO” e të gjitha kohërave.
Elvana që në nisje të koncertit u kujdes të ishte mirënjohëse ndaj kompozitorëve, duke i falënderuar ata, megjithatë unë dua të them se edhe kompozitorët duhet të jenë falënderues ndaj saj, se ju ka dhënë jetë më bukur se kushdo këngëve të tyre!
Elvana ia dedikoi vetes së pari këtë koncert. Dhe është një fat i madh që të kesh atë repertor që ajo ka, me gati 2 orë koncert, dhe që të mos kesh këngë, që publiku nuk e di, që nuk e këndon dhe kërcen. Dhe jo një publik i vogël, stadium mbrëmë ishte i mbushur si në asnjë koncert tjetër shqiptar, – mesa unë kam parë, dhe entuziazmin kënaqësinë, përkrahjen që i kanë dhënë Elvanës gjatë gjithë koncertit, e kisha parë shumë rrallë!
Elvana i ka marrë zemrat e shqiptarëve, prej vitesh.
Atë nuk e ka zbehur as ndonjë stuhi, që lidhet me jetën e saj personale. Ajo ka heshtur edhe kur është baltosur dhe ka folur vetëm me muzikën, me këngën, me skenën aty, ku nuk e cenon dhe sfidon askush! Pas historive të saj të veta, apo edhe artistike, zhgënjime Festivali, etj., ajo është ngritur dhe ka vijuar me hitin e radhës.
Në rrjet njerëzit u morën edhe me këndimin ‘live’ apo jo, madje edhe më shkruanin në privat, pas disa videove që postova mbrëmë, që po këndon me superpozim.
Kjo çështje nuk e zbeh fare koncertin e Elvanës, kjo sepse as Elvana s’ka bërtitur e trumbetuar ndonjëherë ‘live-in’ si pikën e saj më të fortë, por nga ana tjetër, se performancën, show-n, spektaklin, që Elvana bëri e bëjnë vetëm artistë ndërkombëtarë!
Elvana, ti i ke dhënë në këtë 2 dekada muzikës hite, këngë, kujtime, dashuri! Ndaj,
s’duhet të jesh shoqe me ty të të vlerësosh (ne s’kemi qenë ndonjëherë, që të mos krijojë keqkuptime ky shkrim!), por mund ta them me bindje që: bota ka Beyonce, ne kemi Elvanën! Mbaje këtë shije të mirë që koncertit yt të la, mbaje këtë dashuri që njerëzit të dhanë, dhe mos e harro: ti ju ke dhënë muzikën, por publiku mbrëmë (dhe jo vetëm!) të ka dhënë zemrën!







Shet feston 3-vjetorin; detaje nga festa!


Horoskopi ditor, e premte 23 qershor 2023










